Haradinaj: Kosova po përballet me një gjendje të pashpresë
Fadil Sertolli / RTKlive
I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se ky subjekt është jashtëzakonisht i shqetësuar me gjendjen e pashpresë në Kosovë e cila kërkon zgjidhje urgjente.
Kështu ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook pas një takimi me zyrtarë të AAK-së lidhur me zhvillimet në vend.
"Zhvillimet politike ekonomike sociale në Kosovë nuk kanë qenë asnjëherë më të dëmshme për vendin se sa sot. Çdo vendim i qeverisë është orientuar kundër interesave të qytetarëve e shembulli më eklatant i kësaj është penalizmi i rreth 20 mijë mësimdhënësve, duke mos u dhënë pagat", ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se kjo situatë kërkon zgjidhje urgjente.
"Aleanca është e shqetësuar me këtë gjendje të pashpresë, e cila kërkon zgjidhje urgjente. Në këtë frymë sot kishim një diskutim pune për dështimet e kësaj qeverie, dhe për zgjidhjet e duhura që të përfshihen në planin qeverisës të Aleancës, të cilin do ta diskutojmë nesër në Kryesinë e partisë", ka përfunduar Haradinaj.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do t’i ekzekutojë pagat e muajit shtator për ata që ishin në grevë. E një vendim i tillë ka ngjallur reagime të shumta, qoftë nga sindikalistët dhe partitë opozitare, por edhe nga njohës të çështjeve ligjore.























