Bislimi në Komision raporton për marrëveshjen për energjinë e targat
BKT
Foto: Elmina Osmani/ RTK
Lajme

Bislimi në Komision raporton për marrëveshjen për energjinë e targat

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

(Plotësuar) Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, raportoi para Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës.

Këto deklarime i dyti i Qeverisë i bëri pasi u pyet nga kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, se deri ku kanë arritur të përmbushen obligimet e Kosovës për të ndjekur rrugën evropiane të saj, për liberalizimin e dialogun.

Bislimi ka thënë se ka një numër marrëveshjesh që nuk po zbatohen nga Serbia ndër to edhe ajo për energjinë.

Tha se ka kaluar afati prej 100 ditësh për përmbushjen e marrëveshjes dhe tash aktivizohet periudha shtesë.

Bislimi tha se obligimet që ka marr ZRRE-ja janë përmbushur, por jo edhe pikat e tjera. Kjo sipas tij nënkupton edhe pasoja për licencën e kompanisë “Elektroserver”.

Bislimi aty foli edhe për targat dhe për kohën dhe mundësitë që institucionet e Kosovës u kanë dhënë atyre që posedojnë tabela ilegale në pjesën veriore të vendit.

Gjithashtu foli edhe për arritjen e marrëveshjes për dokumente, por që tha se kërkesë e tyre është që kjo të shtrihet në të gjitha pikat kufitare edhe nga vendet e treta, jo vetëm brenda Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij Lajçak po punon në këtë drejtim.

Replika aty pati me deputeten e PDK-së, Blerta Deliu -Kodra e cila kritikoi partinë në pushtet për videon e publikuar ditë më parë.

Ajo tha se nuk duhet që gishti i fajësisë të kthehet nga opozita derisa Vetëvendosje ka mbi 50 për qind të votave.

“Nuk do të ishte e ndershme që edhe pas dy vitesh në qeverisje, ta ktheni gishtin te opozita. Për mua si deputete ishte e turpshme video skandaloze që partia e cila ka mekanizmin e udhëheqjes shtetërore ta bëjë në kohën kur e ka krejt mundësinë  e qeverisjes e nuk po e pengon askush. Ju po e shihni që opozita nuk po iu pengon askund. Po, do të votojmë, sepse interesi i Kosovës është më i madh se interesi i PDK-së, LDK-së, LVV-së e AAK-së. Por, po e them kthehuni nga vetja dhe angazhohuni të punoni më shumë, mos akuzoni opozitën dy vite pasi keni marr përgjegjësinë të udhëheqin me vendin”,  tha ajo.

Përgjigje mori nga zëvendëskryeministri. Ai tha se me mbështetjen e agjendës për Kosovës, nuk mbështetet një subjekt politik, por shteti.

“Të gjithë jeni deputet të Kuvendit dhe Komisioni nuk është i Vetëvendosjes, por i Kuvendit të Kosovës. Në këtë drejtim mendoj që kur e mbështesim një agjendë nuk  e mbështesim një subjekt politik, por shtetin, sepse nuk do të integrohet LVV-ja në Komisionin Evropian, por Kosova si shtet”, tha ai.

Replikat vazhduan mes deputetes së PDK-së dhe zëvendëskryeministrit për mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.

Bislimi tha se në Komision është për të raportuar për agjendën e reformave evropiane e jo për të paguar për mos punë.

Kritika karshi Vetëvendosjes për videon e publikuar ditë më parë pati edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Ajo i tha zëvendëskryeministrit se marrëveshjet ndërkombëtare të parapara për votim në Komision do t’i votojnë, por nëse sërish do të publikohen video nga Vetëvendosje, në Kuvend nuk do t’i japin votë atyre.

“Nëse vazhdoni me video të tjera poshtëruese e denigruese në seancë na detyroni ta lëshojmë sallën e mos të votojmë. Prapë humb Kosova e jo ju. Prandaj e keni për obligim ndërtimin e konsensusit sepse jeni në pushtet”, tha Time Kadrijaj.

Në fund të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare kaluan me shumicë votash  në Komision, por në votim nuk mori pjesë kryetarja Rrezarta Krasniqi duke thënë se shkak për këtë vendim të saj u bë diskutimi gjatë takimit në Komision.

Bislimi: Për statusin e vendit kandidat nuk ka obligime të caktuara

Numri dy i qeverisë ka folur për përgatitjet e shtetit për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat.

Ai ka thënë se për këtë çështje nuk ka obligime të caktuara të cilat një vend duhet t’i plotësojë.

“Shembull, Serbia ka aplikuar për status të kandidatit pa filluar së zbatuari marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Shqipëria ka aplikuar dy apo tri javë pasi e ka marr marrëveshjen e MSA-së,  ndërsa ne që jemi në vitin e gjashtë të zbatimit të dokumenteve strategjike është vlerësim i përgjithshëm që për nga përmbushja e obligimeve në raport me BE-në, Kosova ndodhet dukshëm më mirë nga të gjitha vendet e rajonit që kanë qenë në momentin kur kanë aplikuar për këtë status. Ne mendojmë që është momenti vendimtar që numri i shteteve që kanë statusin e kandidatit të përmbyllet gjatë këtij viti”, ka thënë para Bislimi, raporton RTKlive.

Zëvendëskryeministri tutje ka folur edhe për Procesin e liberalizimit të vizave. Ai ka treguar se tashmë është hartuar një dokument rreth 33 faqesh nga Kosova e që i është dërguar Komisionit Evropian.

“Që të mund a vendosnin në agjendë këtë temë disa nga vendet anëtare të BE-së kanë kërkuar një rifreskim apo rivlerësim të raportit të Komisionit Evropian për atë se çfarë progresi ka pasur Kosova nga viti 2018 kur ka pasur vlerësimin e fundit deri tani. Stafi im bashkë me departamentet për integrime evropiane në kuadër të ministrive të linjës kemi përgatitur një imput prej diku 33 faqesh që ia kemi dërguar Komisionit Evropian. Nga ky material Komisioni Evropian ka përgatitur një raport të shkurtër të rivlerësimit që nesër i shpërndahet vendeve anëtare dhe javën tjetër diskutohet në mbledhjen e  përbashkët. Ky është hapi i parë, por jo i fundit. Pas këtij hapi janë edhe pesë hapa të tjerë. Ne shpresojmë që në një konstolacion të mirë të gjithë këta hapa mund të përmbyllen në një periudhë të shkurtër, por e shohim të panevojshme të dalim me data se kur do të ndodhë liberalizimi”, ka thënë tutje zëvendëskryeministri.

Bislimi ka folur edhe për dialogun me Serbinë. Ka thënë se mund të ketë një takim të radhës mes Kurtit e Vuçiqit gjatë tetorit, megjithëse për një gjë të tillë ende nuk ka një konfirmim.

“Me sa di unë ka pritje që edhe gjatë tetorit të organizohet një takim, por kjo nuk është ende e konfirmuar. Kemi disa marrëveshje që janë në zbatim e sipër, por që nuk jemi të kënaqur me ritmin e zbatimit të tyre. Ju e dini ku qëndron problemi për moszbatim, një prej tyre është edhe marrëveshja për energjinë”, ka thënë ai.


MË SHUME NGA Lajme