PDK dorëzon kallëzim penal kundër ministrit Murati
J.Musliu/RTKlive
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Abelard Tahiri, shef i Grupit parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, deklaroi se kjo parti nuk mund të rrijë duarkryq e të solidarizohet me fjalë, derisa ky i fundit ua ndali pagat e muajt shtator, mësimdhënësve që morën pjesë në grevë .
Ai tha se mësimdhënësit nuk kanë kërkuar asgjë më shumë se dinjitet dhe nuk mund të dënohen vetëm pse kanë zgjedhur të ushtrojnë të drejtën kushtetuese për grevë.
“Edhe të hënën (pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit) paralajmërova zyrtarët e papërgjegjshëm të kësaj qeverie se nëse nuk i ekzekutojnë sa më parë pagat, do të parashtrojmë kallëzim penal kundër tyre”, deklaroi Tahiri.
“Edhe sot, bojkotuam mbledhjen e Kryesisë për këtë shkak. Mirëpo sot, po ashtu ne vepruam!”.
“Vepruam sepse pasojat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare të Ministrit Murati dhe vartësit të tij, Spahiu, po i vuajnë mbi 23 mijë mësimdhënës e mbi 5 mijë punëtorë administrativ dhe teknik të shkollave që janë punëtorë të komunave e jo të qeverisë”.

Tahiri deklaroi se kjo shkelje ligjore është edhe më e rëndë pasi qeveria ka aplikuar standard dhe diskriminim të dyfishtë: e para, nuk ua ka ndalur pagën të gjithë pjesëmarrësve të grevës, por vetëm një pjese të tyre dhe e dyta, ua ka ndalur pagën edhe atyre pak mësimdhënësve të cilët në disa komuna e në disa shkolla brenda tyre, i kanë mbajtur orët mësimore dhe nuk kanë qenë pjesëmarrës në grevë.























