Osmani takon presidentin Macron e kancelarin Scholz
BKT
Foto: Vjosa Osmani/ Facebook
Lajme

Osmani takon presidentin Macron e kancelarin Scholz

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Pragë, në kuadër të samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian, ka zhvilluar një takim trilateral me presidentin e Republikës franceze, Emmanuel Macron dhe Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Presidentja Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për angazhimin e tyre për liberalizim të vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Francën dhe Gjermaninë, si aleatë të fuqishëm të Kosovës në kontinentin evropian.

Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri për të garantuar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.

Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive në këtë proces dhe ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për përpjekjen e tyre për ta intensifikuar procesin e dialogut.

"Kosova është e interesuar në përmbylljen e dialogut sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidentja .

Presidentja Osmani ka potencuar nevojën e avancimit të raporteve ndërmjet shteteve dhe popujve dhe forcimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, ndaj ka kërkuar që mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe strukturat euroatlantike të vazhdojë.


MË SHUME NGA Lajme