Osmani për Asociacionin: Kushtetuta është alfa e omega e veprimeve tona
BKT
Lajme

Osmani për Asociacionin: Kushtetuta është alfa e omega e veprimeve tona

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Gjatë kësaj konference në Pragë, presidentja u pyet edhe nëse Kosova ka një modalitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ajo tha se modalitet është kushtetuta e Kosovës, është alfa e omega e secilit veprim të tyre.

“Është vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e trason rrugën përpara që përcakton se mekanizma të tillë nuk mund të jenë as njëetnik, as të kenë kompetenca ekzekutive e as nuk mund të krijojmë një shtresë të ndërmjetme të qeverisjes e cila do të binte ndesh me kushtetutën, këto janë parimet tona. Ne vazhdimisht e shpjegojmë para partnerëve tanë se sa me rëndësi është që mos të shkojmë përtej kësaj sepse nuk është në interes të askujt e më së paku të Kosovës, por as të rajonit e as të BE-së që të kemi një Republikë serbe apo modele të ngjashme që nuk kanë funksionuar e nuk do të funksionojnë sepse më shumë krijon probleme sesa qetësi, paqe e stabilitet”, ka thënë tutje presidentja.

Sipas Osmanit, sfida e sotme me komunitetin serb nuk është se shqiptarët po krijojnë pengesa, por bandat kriminale në veri të mbështetura nga Vuçiqi.

“Ne jemi që të gjitha komunitetet  jo shumicë në Kosovë të realizojnë të drejtat e tyre të garantuara, e sfida e sotme në raport me komunitetin serb nuk është që shqiptarët po krijojnë pengesa, sfida e sotme janë bandat kriminale në veri që paguhen, nxiten e mbështeten nga Vuçiqi. Sfida jonë, përballja jonë nuk është vetëm përballje politike është edhe përballje e sundimit të ligjit sepse nuk do të dorëzohemi para bandave kriminale dhe kjo duhet të kuptohet drejtë, prandaj edhe veprimet që i ndërmarrim janë edhe në favor të shtrirjes së plotë të sovranitetit në veri edhe të luftimit të krimit, kontrabandës dhe vendosjes së sundimit të ligjit, por edhe në favor të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në gjithë rajonin tonë”, ka shtuar Osmani

Tutje e para e shtetit tha se është me rëndësi që me partnerët flasin hapur.

“Sepse sa më shumë që jemi të hapur me ta, aq shumë kemi mundësi që ata të kuptojnë më drejtë pozicionin tonë. Natyrisht që ne kemi besim të plotë që qëllimi i aleatëve tanë Francës dhe Gjermanisë është paqja dhe stabiliteti dhe një proces që në fund natyrisht do t’i ketë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që janë demokratike e që bazohen në zbatim të ligjit si pjesë të Bashkimit Evropian”, ka përfunduar konferencën e saj para gazetarëve në Pragë presidentja, Vjosa Osmani.

Osmani: Optimist për vizat, por duhet të jemi të kujdesshëm|Video

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media në Pragë, ka folur edhe për takimin e 13 tetorit ku pikë e rendit të ditës është edhe çështje e vizave për Kosovën dhe për këtë është shprehur me optimizëm, por ka thënë se duhet pasur kujdes sa i përket atij takimi sepse nuk përfundon gjithçka aty dhe ka shumë hapa të tjerë deri në hyrjen në fuqi.

Osmani: Presidentit francez e kancelarit gjerman ia paraqita vijat tona të kuqe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur edhe për takimin me presidentin Macron e kancelarin Scholz.

“Aty në radhë të parë kam ngritur çështjen të shtyrjes përpara të liberalizimit të vizave dhe së dyti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dy tema që domosdoshmërisht duhet të shtyhen përpara në mënyrë që Kosova të ketë progres konkret. Dhe pastaj, natyrisht kemi diskutuar edhe për dialogun”, tha ajo.

Presidentja tha se Franca dhe Gjermania në nivelet më të larta po bëjnë përpjekje për intensifikimin dialogut dhe se Kosova nuk ka asgjë kundër të intensifikohen përpjekjet për një zgjidhje.

“Si përfaqësuese e Kosovës para presidentit Macron e kancelarit Scholz kam paraqitur cilat janë vijat tona të kuqe që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit, kushtetutshmërisë, parimin e unitaritetit të shtetit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional, që mos të lejojmë zgjidhje të cilat më shumë shkaktojmë probleme sesa që sjellin më shumë paqe e stabilitet në rajon. Unë i falënderoj të dy që na dhanë mundësinë që në detaje të shpjegojmë pozicionin tonë. Ekipet e tyre shumë shpejtë përsëri do të ulen bashkë me ne e të diskutojmë të gjitha temat edhe më në detaje se sa që kishim mundësi në këtë takim. Është shumë me rëndësi që liderë si Scholz e Macron kanë një angazhim dhe përkushtim kaq të madh që dialogu mes Kosovës e Serbisë të ecë në rrugë të drejtë”, theksoi ajo.

Ajo ka folur edhe për takimet që i ka pasur në këtë samit, përfshirë edhe me kryeministrin e Greqisë që tha se e takoi pë herë të tretë.

“Sa i përket kryeministrit të Greqisë e kam takuar edhe dy herë më herët në takime bilaterale të detajuara për raportet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë. Pra, është hera e tretë që po e takoj. Ndërkaq kryeministrin e Sllovakisë është hera e parë që e takoj. Këto janë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, por të dyja kanë qëndrime konstruktive sepse asnjëherë nuk e kanë bllokuar rrugën evropiane të Kosovës. Kisha mundësinë të kërkoj përkrahje prej tyre në disa prej çështjeve me të cilat po ballafaqohemi tani dhe po shpresoj që jemi në rrugë të drejtë, por në fund këto do të jenë vendime të institucioneve të këtyre dy shteteve, ne i kemi shpjeguar argumentet tona se pse është me rëndësi që Kosova të ecë në mekanizmat ndërkombëtar. Siç e thash, tani do të presim edhe vendimet e tyre, por çka është me rëndësi këto shtete asnjëherë nuk e kanë e bllokuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe pse janë shtete mosnjohjese, në fakt na kanë përkrahur edhe publikisht”, tha ajo, raporton RTKlive.

Osmani tha se presin që më 13 tetor kur takohet Grupi Punues për viza do të dëgjohet nga këto shtete përkrahje e zëshme, pavarësisht çfarë qëndrimi kanë sa i përket pavarësisë së Kosovës. 

“Shpresojmë, natyrisht jemi optimist, por edhe të kujdesshëm sa i përket atij takimi. Nuk përfundon gjithçka aty sepse ka shumë hapa të tjerë siç e dini deri në hyrjen në fuqi. Çka është me rëndësi është që sot një rivlerësim i Komisionit Evropian i është dërguar të gjitha shteteve anëtare është jashtëzakonisht pozitiv, dhe në të njëjtën kohë ky rikonfirmim i KE-së i njofton të gjitha shtetet anëtare edhe për të gjitha reformat që janë kryer këtë një vit e gjysme duke i vlerësuar ato si reforma pozitive”, tha ajo.

Osmani bëri me dije se në të gjitha takimet që ka pasur në mbi 25 të tilla, të gjithë e kanë potencuar se sa shumë i vlerësojnë reformat që Republika e Kosovës i ka ndërmarr përgjatë këtij një viti e gjysmë dhe sidomos për shtetet skeptike që kanë qenë më herët sa i përket vizave dhe tha se kjo ka qenë determinuese në vendimin e tyre për çka tregoi se e kanë thënë secili prej tyre në këto takime.


MË SHUME NGA Lajme