Prindërit kundër kompensimit të orëve të humbura të shtunave
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Këshilli i Prindërve të Kosovës ka njoftuar se në shumicë absolute prindërit janë kundër zhvillimit të mësimit të shtunave si kompensim për orët e humbura gjatë grevës. Madje sipas këtij këshilli prindërit e revoltuar kanë thënë se nuk do t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë.
Ky qëndrim i prindërve nga Këshilli po vlerësohet i drejtë meqë ishte paralajmëruar qysh në fillim të grevës.
“Mësimi të shtunave jo vetëm që nuk i shërben kompensimit të orëve, por ashtu e dëmton edhe procesin mësimor për ditët e tjera të javës, për shkak të lodhjes dhe mërzitjes së fëmijëve. Këtu duhet shtuar edhe faktin shumë të rëndësishëm që me dhjetëra mijëra fëmijë në gjithë Kosovën gjatë fundjavave marrin pjesë në aktivitete e gara të ndryshme sportive e të artit, për çka Ministria e Arsimit, por edhe ajo e Kulturës dhe Sportit, duhet të kishin pasur konsideratë të veçantë”, shkruan ne deklarimin publik të këtij këshilli.
Sipas tyre kompensimi i orëve të humbura do duhej deleguar nivel të shkollave, meqë shumica e shkollave në Kosovë sipas tyre nuk e kanë problemin e mbingarkesës me nxënës, që punojnë me një ndërrim dhe kompensimi mund të ishte bërë gjatë ditëve të javës.
“Këshillat drejtues të shkollave do të duhej ta informonin Ministrinë e Arsimit (me qëllim mbikëqyrjeje) për planin e kompensimit, sikurse ka ndodhur me Task- Forcat gjatë pandemisë për dy vjet e gjysmë”, thuhet tutje aty.
Ky këshill thotë se as fëmijët e as prindërit nuk kanë asnjë përgjegjësi për orët e humbura, prandaj nuk e mbështesin kompensimin e orëve të shtunave.
“Është shumë e padrejtë dhe e papranueshme që fëmijëve tanë, pasi iu mohua e drejta kushtetuese për kujdes, edukim e arsimim, t’iu mohohet tani edhe e drejta për pushim, e mbi këtë edhe e drejta për aktivitete jashtëshkollore”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Prindërve.
Pas 5 javësh greve, nxënësit iu kthyen mësimit më 3 tetor. Gjatë kësaj periudhe janë humbur 22 ditë mësimore.
Për këtë Ministria e Arsimit ka nxjerrë vendim për plotësimin dhe ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2022-2023, përmes së cilit synohen që disa ditë të kompensohen të shtunave, të tjera në kohën e pushimit pranveror si dhe të zgjatet përfundimi i gjysmëvjetorit të dytë.
Kjo është kundërshtuar edhe nga SBASHK-u.























