SBASHK-u ende s’ka vendosur nëse do të kompensojë orët e humbura
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

SBASHK-u ende s’ka vendosur nëse do të kompensojë orët e humbura

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Pas njoftimit të Ministrisë së Financave se sot do të ekzekutojë pagat si paradhënie për zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë grevës, sipas kalendarit të ri të publikuar nga MASHT-i, Ahmet Pllana nga SBASHK-u, kalendarin e ri e ka quajtur të njëanshëm.

Në një deklarim për RTKlive, Pllana nuk ka thënë se SBASHK-u është kundër zëvendësimit të orëve ashtu siç parashihet me kalendarin e ri të Ministrisë. Madje, ai e ka kritikuar hartimin e tij, duke e quajtur edhe kushtëzim.

“Jo nuk mund ta them këtë sepse nuk e kemi pyetur bazën, anëtarësinë”, thotë Pllana për RTKlive.

“Ne çdoherë e pyesim anëtarësinë dhe e vendosin me vota”.

Sipas Pllanës që është kryesindikalist i SBASHK-ut për Prishtinë, mësimdhënësit gjithmonë kanë qenë solidar dhe gjithmonë kanë qenë pranë fëmijëve.

“Le t’i procedojnë pagat në xhirollogari e pastaj të fillojë dialogu i cili duhet të vazhdojë, sepse kemi edhe kërkesa të tjera si Ligji i Pagave, sigurimet shëndetësore etj”.

Pllana deklaron se kryesorja është që pagat t’u dalin mësimdhënësve e të fillojë dialogu edhe për kompensim të orëve.

Pllana e cilëson shkelje të të drejtave të fëmijëve kalendarin e ri të MASHTI-t, përmes së cilit është përcaktuar zëvendësimi i 22 ditëve të humbura në grevë.

“Në fillim kur hymë në grevë të gjithë na kritikuan për cenim të të drejtave të fëmijëve”, tha Pllana për RTKlive.

“Edhe në këtë rast me kalendarin e ri që e ka hartuar Ministria, njëanshëm pa e pyetur askënd, po i cenohet e drejta e fëmijëve”.

Pllana shprehet se Ministria ka detyruar të bëjnë kompensimin e orëve edhe gjatë vikendeve, u ka humbur pushimin dimëror, pushimin pranveror dhe e ka zgjatur vitin shkollor për një javë.

“Edhe kjo është cenim i të drejtave të fëmijëve”.

Ai në emër të SBASHK-ut i ka bërë thirrje Qeverisë të procedojë pagat e mësimdhënësve, në të kundërtën tha se nga e hëna e tutje, nuk dihet çfarë veprime do të ndërmarrin si Këshill Drejtues i SBASHK-ut.

“Si pasojë do të shtohen edhe paditë e mësimdhënësve ndaj institucioneve përgjegjëse”.

Kundër zëvendësimit të ditëve të humbura gjatë grevës është shprehur këtë të premte Këshilli i Prindërve.


MË SHUME NGA Lajme