Reformimi i prokurimit rezulton në përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve
Fadil Sertolli / RTKlive
Për të diskutuar mbi përmirësimin e kujdesit për pacientët dhe rrugët drejt një furnizimi më efikas të barnave, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një tryezë të rrumbullakët me temën “Ndërtimi i partneritetit për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë”.
Përmes një komunikate për media, thuhet se Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një partneriteti në mes të institucioneve publike shëndetësore dhe sektorit privat me qëllim përfundimtar përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë, si dhe menaxhimin më të mirë të fondeve publike përmes prokurimit më efikas t` produkteve farmaceutike.
Tutje, thuhet se Naim Bardiqi, Sekretar i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, e filloi diskutimin duke theksuar se kujdesi ndaj pacientëve është objektivi kryesor i ministrisë. Përkundër sfidave financiare, janë duke u hartuar ligjet për kujdesin shëndetësor dhe sigurimin shëndetësor, me synimin për të arritur një performancë të mirë dhe afatgjatë të kujdesit shëndetësor.
Po ashtu, Sinisha Varga dhe Tihomir Strizrep, të dy ekspertë të njohur ndërkombëtarë në fushën e shëndetësisë, ndanë ekspertizën e tyre, por gjithashtu shpjeguan reformat që Kroacia ndërmori gjatë rrugës, të cilat rezultuan në një sistem shëndetësor të admirueshëm. Çelësi i suksesit të tyre i atribuohet kryesisht të ashtuquajturës MEA (Managed Entry Agreement), e cila ishte edhe theksi i tryezës.
“Ish-ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kroacisë, Sinisha Varga shpjegoi se si funksionon një partneritet përmes MEA dhe çfarë konkretisht duhet të merret parasysh gjatë hartimit të agjendave në shëndetësi. Në anën tjetër, Tihomir Strizrep, krahas shpjegimit të procesit që duhej të kalonte Kroacia drejt reformimit të sistemit të saj shëndetësor, ofroi rekomandimet e tij dhe një model pesëpikësh që Kosova duhet të ndjekë. Ajo që ishte baza e përbashkët e ekspertizës dhe rekomandimeve të tyre, është rëndësia më e madhe e të pasurit MEA në përmirësimin e kujdesit ndaj pacientit dhe ofrimin e shërbimeve efikase”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, Juristi Visar Ramaj prezantoi këndvështrimin e ligjeve dhe rregulloreve në lidhje me ekosistemet e kujdesit shëndetësor. Po propozohen projektligje të reja dhe i gjithë sistemi po kalon një transformim. Ajo që është e rëndësishme të dihet është se MEA është në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Në fakt, një marrëveshje e tillë nuk është e re, duke qenë se ajo ka ndodhur në lidhje me vaksinat Pfizer, prandaj nuk ka asgjë të diskutueshme për të. Pa dyshim, duhet të ketë vullnet, guxim dhe integritet për të çuar përpara zgjidhje të tilla të dobishme.























