Gërvalla: Do t`ia propozoj Kurtit për ministër Haxhi Avdylin
Blerim Halimi / RTKlive
(I plotësuar) Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, e cila njëherësh është edhe bashkëkryetare e Partisë Guxo, ka paralajmëruar se do t’ia propozojë kryeministrit Albin Kurti, deputetin e kësaj partie, Haxhi Avdyli për pozitën e ministrit të Shëndetësisë, pas dorëheqjes së dr. Rifat Latifi.
Duke komentuar deklaratën e deputetit nga partia “Guxo”, Burim Meta se ministri i Shëndetësisë duhet t’i takojë kësaj partie, ajo ka thënë se ai veprim ishte ngacmues për opinionin, por edhe deklaratë ‘qesh e ngjesh’.
“Deputeti Burim Meta nuk është i panjohur në skenën politike për të ngacmuar pak opinionin. Ai e bën këtë shpesh, e bën me një dozë shumë të shëndoshë humori, e me një dozë shumë të shëndosh serioziteti. Kjo ishte ‘qesh e ngjesh’ i thonë shqip”, ka theksuar Gërvalla në intervistë me gazetaren Fitore Rexhepi në "RTK Prime".
Gërvalla ka theksuar se Haxhi Avdyli është kandidati më i mirë i mundshëm që të jetë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ka thënë se nëse kryeministri Kurti është dakord, do t’ia propozojë atë për ministër.
“Pa dashur t’ia marrë të drejtën kryeministrit për të vendosur së bashku me njerëzit me të cilët këshillohet për emërimet, mendoj që Partia Guxo ka një kandidat të shkëlqyeshëm për ministër të Shëndetësisë. Deputeti Haxhi Avdyli do t’i shërbente me eksperiencën e tij profesionale dhe me eksperiencën e tij të gjatë publike e politike këtij institucioni, por nuk i di propozimet e tjera. Nëse kryeministri Kurti do të jetë dakord, unë do t’ia bëjë këtë propozim dhe do t’ia tregoj argumentet e mia. Kjo është kërkesa jonë si parti, nuk është as kusht, as shantazh, as kërcënim. Prandaj shprehjet e mendimit individual të deputetëve janë shumë të mirëseardhura, në anën tjetër një vendim të tillë si parti nuk është që e kemi marrë", ka shtuar Gërvalla.
Ajo ka thënë se beson që Burim Meta e ka pasur në mendje Haxhi Avdylin kur ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë duhet t'i takojë partisë "Guxo".
"Të gjithë e dimë se çfarë pasurimi i skenës politike dhe çfarë shansi për këtë institucion do të ishte emërimi i Haxhi Avdylit. Biseda të tilla mes partnerëve zhvillohen vazhdimisht, nuk ka ultimatume. Nga të gjithë ata që mund t’i imagjinoj mua Haxhi Avdyli më duket se është kandidati më i mirë i mundshëm”, ka theksuar ajo në ‘RTK Prime’.
Gërvalla: Rruga Tiranë-Beograd kalon nga Prishtina edhe politikisht
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz ka theksuar se me Republikën e Shqipërisë ekziston një bashkëpunim i jashtëzakonshëm, e që është tradicional, por nuk e ka mohuar faktin se ka mospajtime në çështje të caktuara siç është iniciativa e Ballkanit të Hapur.
“Diplomacia shqiptare ka qenë e angazhuar rreth pavarësimit të Kosovës, rreth njohjes dhe forcimit të shtetësisë kudo. Në këtë sferë nuk ka ndryshuar asgjë. Kemi një temë, e cila nuk është për t’u fshehur e ku nuk pajtohemi - është Ballkani i Hapur dhe është qasja e kryeministrit Edi Rama ndaj kësaj iniciative. Ne mendojmë se me refuzimin e Ballkanit të Hapur kemi pasur shumë të drejtë, sidomos duke pasur parasysh rrethanat gjeopolitike, por edhe brenda një familje vëllezërit dhe motrat nganjëherë nuk e ndajnë të njëjtin mendim”, ka theksuar Gërvalla në “RTK Prime”.
Megjithatë, diplomatja e Kosovës i ka dërguar mesazh të qartë diplomatëve dhe politikbërësve në Shqipëri se rruga Tiranë – Beograd kalon përmes Prishtinës.
”I them koleges sime dhe të gjithë diplomatëve shqiptarë se duhet të jetë e qartë për Tiranën zyrtare, se rruga Tiranë-Beograd kalon nga Prishtina edhe gjeografikisht edhe politikisht. Nganjëherë e kam përshtypjen që kjo duhet theksuar. Sidoqoftë, përkushtimi i diplomacisë së Shqipërisë për të ndihmuar Kosovën në përmirësimin e gjendjes së saj ndërkombëtare është i pandërprerë”, është shprehur Gërvalla.
Ajo ka thënë se në interes të rajonit dhe në interes të zvogëlimit rus në Ballkanin Perëndimor është shfuqizimi i iniciativës së Ballkanit të Hapur.
“Kosova është shumë e vendosur deri tani (për ta refuzuar Ballkanin e Hapur, v.j.) sepse s’kemi parë argument që ta shfuqizojnë. Iniciativa e Ballkanit të Hapur e dëmton jo vetëm Kosovën por rajonin e Ballkanit në përgjithësi, ky është qëndrimi ynë, të cilin e ndajmë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Republika e Shqipërisë ka vendosur ta ndjekë politikën e saj. Jeta është e gjatë dhe diku në mes do të takohemi dhe do t’i qahemi njëri-tjetrit se kush ka pasur të drejtë dhe kush të padrejtë. Por kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë të jetë i mangët. I keni parë marrëveshjet dhe tempon e jashtëzakonshme të bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë. Kemi kaluar nga fjalët në vepra. Të vetmin konflikt që e kemi me Shqipërinë është tema e Ballkanit të Hapur, nuk shoh konflikte të natyrave tjera. Nuk është në interes tonin që të krijojmë konflikte artificiale”, ka nënvizuar Gërvalla.
Gërvalla: Ka progres në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se aplikimi i Kosovës është hequr nga agjenda për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Duke folur në "RTK Prime" për situatën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, ajo ka thënë se është bërë një progres i mirë në këtë drejtim.
“Ne kemi vendosur ta dorëzojmë aplikimin për anëtarësim në maj dhe ka lëvizje në aspektin e trajtimit. Delegacioni ynë nga Kuvendi i Kosovës për herë të parë do të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare me të drejtë të plotë fjale dhe ky është një progres i mirë”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka thënë se shumë shtete në procesin e anëtarësimit kanë pritur me vite të tëra, por beson se në rastin e Kosovës, një gjë e tillë do të arrihet shumë shpejt.
“Besoj se Kosova do të shënojë një prej rekordeve për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës sepse mendoj se edhe atmosfera por edhe progresi i Kosovës e mundëson një gjë të tillë“, ka shtuar ministrja.
Sa i përket pohimeve të palës serbe se Kosova është hequr nga agjenda në mbledhjen e 5 tetorit, ajo ka thënë se një gjë e tillë nuk qëndron.
“Nuk iu kundërpërgjigjem fare (autoriteteve serbe, v.j.) sepse ata nuk i besojnë vetes kur flasin. Kosova nuk është hequr nga agjenda. Kosova nuk ka qenë në agjendë, por në mbledhjen e 5 tetorit është diskutuar dhe është bërë një progres i mirë”, ka nënvizuar Gërvalla.
Ajo nuk ka dashur të japë data rreth asaj se kur do të trajtohet aplikimi i vendit tonë për anëtarësim në KE. “Nuk është e imja të them data sepse është çështje e presidencës së radhës. Irlanda e ka presidencën e radhës në Këshillin e Evropës dhe është vendim i Irlandës se me cilën tempo dhe cilat data do t’i zgjedhë. Ajo çfarë mund të them është se jemi shumë afër momentit kur kërkesa jonë do të procedohet në asamblenë parlamentare ku ajo edhe duhet trajtuar”, është shprehur Gërvalla.
Gërvalla në RTK Prime: Presidentja Osmani avokatja më e mirë e Republikës
Zëvendëkryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz e ka vlerësuar presidenten Osmani si avokaten më të mirë të shtetit në skenën ndërkombëtare, derisa ka thënë se Samiti Inaugurues i Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Pragë është edhe një tavolinë më shumë, ku diskutohet për fatin e kontinentit tonë dhe ku mund të merren vendime të rëndësishme.
Ajo në “RTK Prime” ka thënë se sa më shumë të dëgjohet zëri ynë aq më të favorshme do të jenë vendimet për rajonin tonë.
“Presidentja Osmani jo vetëm në këtë samit por kudo ka treguar një prezencë të jashtëzakonshme. Kemi qenë së bashku në Nju Jork në kuadër të Asamblesë së OKB-së dhe kemi pasur takime të shumta me udhëheqës botëror. Presidentja është avokatja më e mirë e kësaj republike kudo në skenën ndërkombëtare”, ka theksuar ministrja Gërvalla.
Sa i përket asaj nëse Kosovën po e dëmton fakti se në secilin takim me faktorët ndërkombëtar po flitet për dialogun, ajo ka thënë se do të fillonte të shqetësohej nëse dialogu do të ishte tema e vetme në këto takime.
“Dialogu është opsioni më i mirë. Ne kudo e dëshmojmë se dialogu nuk është duke dështuar për shkak të mosangazhimit të institucioneve tona. Madje, institucionet tona kanë pasur propozime reale se si mund të arrihet marrëveshja finale me Serbinë. Por në anën tjetër mungon gatishmëria e palës serbe, e cila nuk është e interesuar për një dialog të mirëfilltë e as për procesin e integrimit evropian”, ka theksuar tutje Gërvalla.
Sonte në ‘RTK Prime’, intervistë me ministren Donika Gërvalla -Schwarz
Sonte në “RTK Prime”, e ftuar është ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz.
Ndër të tjera, ajo do të flasë për gjendjen në diplomacinë e Kosovës, ku puna e saj, kohëve të fundit ka qenë herë pas here, në qendër të kritikave nga opozita dhe analistë të ndryshëm.
Në këtë intervistë, përballë gazetares Fitore Rexhepi, kryediplomatja kosovare do të rrëfejë edhe për situatën me aplikimin e Kosovës për antarësim në Këshill të Evropës. Si i kundërpërgjigjet Gërvalla, Serbisë, zyrtarët e së cilës dy ditë më parë deklaruan se aplikimi i Kosovës nuk është përfshirë në agjenden e këtij institucioni evropian.
Përse nuk ka njohje të reja dhe kur pritet të “thyhet akulli” në këtë drejtim?
Gërvalla do të flasë edhe për pjesmarrjen e Kosovës në punimet vjetore të Asamblesë së Përgjthshme të OKB-së, ku ajo së bashku me presidenten Osmani, patën shumë takime me liderë të ndryshëm shtetesh.
A ka rezultate nga ato takime dhe cilat janë ato?
Padyshim, antarësimi i Kosovës organizata të ndryshme ndërkombëtare do të jetë në fokusin e kësaj interviste.
Përse Kosova heziton të aplikojë për antarësim bë UNESCO, pas dështimit të para disa viteve, ashtu si edhe në Interpol?
Përse Kosova nuk aplikon për antarësim Europol?
Si qëndron situata me liberalizimin e vizave?
Për këto dhe shumë tema të tjera, flet sonte në “RTK Prime”, ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donik Gërvalla Schawarz. Intervista fillon në orën 20:30 në RTK1.























