Osmani falënderon kryeministrin belg për mbështetje në anëtarësim në KE
B. Halimi / RTKlive
Presidentja Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Pragë për samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian, ka takuar edhe kryeministrin e Belgjikës, Alexander De Croo, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe çështjet aktuale ne kontinentin evropian.
Të dy bashkëbiseduesit i kanë vlerësuar lartë raportet ndërshtetërore dhe janë angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre. Osmani, teksa ka folur për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të vendit për të vazhduar punën në reforma të rëndësishme në të gjitha fushat. Në këtë frymë, presidentja ka ritheksuar rëndësinë e përfundimit sa më parë të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, njofton Presidenca.
“Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin De Cross për mbështetjen belge për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Në kontekst të integrimit evropian, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që ta avancojë këtë proces, duke aplikuar për anëtarësim në BE si hap i radhës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani takon kryeministrin slloven: Të përkushtuar për koordinim
Presidentja Vjosa Osmani, në kuadër të takimeve gjatë pjesëmarrjes në Komunitetin Politik Evropian në Pragë, ka takuar kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit, si dhe për raportet e shkëlqyera ndërshtetërore.
Presidentja Osmani ka vlerësuar mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë për mbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët tanë, si dhe anëtarësimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike, përfshirë Këshillin e Evropës, njofton Presidenca.
“Jemi të përkushtuar për t’i koordinuar hapat e mëtejmë”, ka deklaruar Osmani.























