Gërvalla: Perëndimi ta ndryshojë qasjen ndaj Serbisë së rreshtuar nga Rusia
RTKlive
Perëndimi duhet ta pranojë realitetin e ri dhe ta ndryshojë qasjen ndaj Serbisë. Një deklaratë të tillë e dha zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në seancën e pasdites në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perespektivat e ardhshme”, që po mbahet në Prishtinë.
Gërvalla ka thënë se Serbia i dha shuplakë partnerëve perëndimor, duke u rreshtuar me një kriminel të luftës që kërcënon paqen, e që kërcënon edhe me përdorim të armëve bërthamore.
Tutje ajo ka thënë se dialogu është me rëndësi në kuptim të përmbajtjes dhe nëse ndryshohet realiteti kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ndryshojë përmbajtja e dialogut.
“Nëse një palë në këtë tavolinë largohet nga tavolina e BE-së dhe i jep një shuplakë fytyrës partnerëve perëndimor dhe rreshtohet me një kriminel të luftës, i cili është duke quar luftën më të madhe në Evropë që nga lufta e dytë botërore, atëherë duhet bërë pyetja: E çka tani, a mund të vazhdojmë tutje thua se nuk ka ndodhur asgjë, çfarë i thotë kjo zotëri Vuqiçit dhe zotëri Putinit, çfarë thotë kjo në sytë e Perëndimit, a nuk e dërgon mesazhin që ne perëndimi jemi aq të dobët sa që nuk arrijmë të përshtatim lëvizjet dhe veprimet tona, kur dikush rreshtohet me dikën që kërcënon paqen dhe madje kërcënon më përdorim të armëve bërthamore. Evropa duket ta pranojë realitetin e ri kemi të bëjmë me një Rusi brutale agresive, kemi të bëjmë më një lidership serbë shumë agresiv, kemi të bëjmë me një bashkëpunim shumë të ngushtë ekonomik dhe ushtarak të Rusisë dhe Serbisë”, ka theksuar Gërvalla.
Ajo tutje ka thënë se në këtë periudhë ose duhet të jemi për Evropën, për demokracinë e paqen ose me forcat e liga të cilët janë të gatshme të përdorin luftën si mjet për arritjen e synimeve ideologjike, politike.
“Lidershipi i Serbisë ka vendosur që politikën e jashtme të rreshtohen me regjimin rus. Rishtazi në koluarët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministrat e jashtëm të Serbisë dhe Rusisë kanë nënshkruar një marrëveshje për këtë rreshtim. Serbia nuk ka probleme vetëm me Kosovën si fqinjë, Serbia me ndihmën e Rusisë në nivelet e ndryshme përpiqet të shkaktojë probleme edhe me fqinjë të tjerë në rajon, të cilët ende nuk janë anëtarë të BE-së nga Mali i Zi tek Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina”, ka shtuar Gërvalla.
Ajo ka thënë se Putin po e përdorë shembullin e Kosovës për t’i manipuluar vendet perëndimore, teksa ka thënë se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës i dërgon një mesazh Putinit dhe i përshtatet agjendave ruse. Gërvalla ka këmbëngulur se Kosova është vend sovran i njohur ndërkombëtarisht dhe nuk ka asnjë analogji me rajonet e tjera dhe vendet e tjera anëtare të BE-së, ku disa pakica përfshihen në separatizëm.























