Balla: Mbështesim Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në KiE
ATSH
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh sot se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një hap që do t’i shërbejë konsolidimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Kosovë.
Balla vuri në dukje se sot për herë të parë delegacioni i Kosovës mban fjalë përkrah delegacioneve të tjera në një sesion plenar të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Kosova ka paraqitur këtë vit kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pas kaq vitesh që mban statusin e pjesëmarrësit. Asambleja Parlamentare vendosi që nga ky sesion e tutje, delegacioni nga Kuvendi i Kosovës të ketë vende të dedikuara në sallën e seancës plenare si dhe të drejtën e fjalës në çdo mbledhje komiteti apo plenare”, tha ai.
Sipas Ballës, “Kosova do ta ketë dhe të drejtën e votës në Asamble sapo të përfundojë procesi i anëtarësimit, që do ketë sfidat e veta”.
Balla siguroi se delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare mbështet dhe është në krah të Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në KiE-së.























