Sekretari Blinken njofton për bisedën telefonike me Kurtin e Vuçiqin
Jeton Musliu/RTKlive
Biseda të mira dhe produktive telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kështu i ka cilësuar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bisedat që pati një ditë më parë me liderët e këtyre dy shteteve ballkanike.
Me anë të disa postimeve në Twitter, shefi i diplomacisë amerikane, deklaroi se në bisedë me kryeministrin Kurti, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përpjekjet drejt integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës.
“Pata një bisedë të mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, shkroi Blinken.
“ Ne theksuam se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë bilateral dhe përpjekjet drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”.

“E falënderova edhe për mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës”, ka shkruar Sekretari Blinken, raporton RTKlive.
Paraprakisht, tridhjetë minuta më herët, Sekretari amerikan ka njoftuar në mënyrë të njëjtë edhe përmbajtjen e bisedës me presidentin e Serbisë, Vuçiq.
“Kisha një bisedë produktive me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq”, shkroi ai.
“Ne diskutuam rëndësinë e partneritetit tonë dypalësh dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin rajonal”.

“E urova Serbinë për hapjen e ambasadës së re në Uashington D.C.”, ka shkruar Blinken.
Megjithatë, sa i përket përmbajtjes së bisedave telefonike, më i gjatë ishte njoftimi i publikuar nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Ai njoftoi se në bisedën e Sekretarit Blinken me kryeministrin Kurti, u fol për rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës për integrimet evropiane dhe euroatlantike si jetike për arritjen e paqes dhe mirëqenies së qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sa i përket bisedës me presidentin Vuçiq, sipas Price, Sekretari Blinken ka nënvizuar mbështetjen e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja dhe kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.
Paraprakisht, kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq,kanë njoftuar shkurtimisht se kanë pasur biseda telefonike me Sekretarin Blinken.























