Replika përmes videove |Video
Jeton Musliu/RTKlive
E filloi kryeministri Albin Kurti, e vazhduan deputetët e opozitës. Bëhet fjalë për një video të xhiruar sot në veturë. Kryeministri Kurti, derisa shkonte në mbledhjen e Qeverisë, ka xhiruar me telefonin e tij një video në veturë, duke njoftuar se për vendimet që do të merren, siç tha ai, në mbledhjen e 100 të ekzekutivit.
Duke e publikuar videon në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ftoi qytetarët që ta përcjellin këtë mbledhje sepse paralajmëroi se do të merreshin shumë vendime, raporton RTKlive.
“Do të flasim për të gjeturat e ministrive në këtë periudhë qeverisëse e do të votojmë në 12 pika të rëndësishme për të cilat ju ftoj t’i ndiqni drejtpërsëdrejti, pas pak, në faqen e Qeverisë së Kosovës e në të timen po ashtu”, ka thënë Kurti.
Ndaj këtyre deklarimeve, në mënyrë të njëjtë, i reagoi deputeti i LDK-së, Arben Gashi. Edhe ai me një video të xhiruar në veturë dhe të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, Gashi pyeti kryeministrin nëse ka projekte konkrete.
“Presim prej teje projekte konkrete ne punë, përndryshe je i dështuar”, deklaroi Gashi në këtë video.
Njësoj ka vepruar edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri. Duke publikuar një video në Facebook, Tahiri tha se në mbledhjen e 100-të, nuk ka vend për analizën e të gjeturave “por për prezantim të rezultateve e vendimeve prej të cilave kanë përfituar qytetarët e Kosovës”.
Kryeministri Albin Kurti sot në mbledhjen 100-të të Qeverisë ka lëvduar punën e kabinetit të tij, të cilit edhe ia atribuoi suksesin për sanimin e disa problemeve të trashëguara nga e kaluara.























