Kosova dhe Greqia të gatshme për thellimin e bashkëpunimit kulturor
Shqipe Gashi/RTKlive
Ministrja e Kulturës dhe Sportit e Greqisë, Lina Mendoni po qëndron në Kosovë për një vizitë zyrtare dyditore, me ç’rast sot është takuar me homologun e saj, Hajrulla Çeku.
Ky i fundit u shpreh i lumtur që ministrja Mendoni bëhet ministrja e parë greke e Kulturës dhe Sportit që e viziton vendin tonë.
“Ministrja Lina Mendoni është ministrja e parë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Greqisë që po e viziton Kosovën. Ne, sot diskutuam për mundësitë e thellimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona dhe jam shumë i motivuar nga fakti se kemi shumë gatishmëri nga të dyja palët për të kaluar në veprime dhe aktivitete konkrete në emër të rritjes së këtij bashkëpunimi”, tha Çeku.
Ai bëri të ditur se gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, ministrja greke bashkë me delegacionin e saj, do të ketë disa takime dhe vizita nëpër institucione të kulturës dhe në monumente të trashëgimisë kulturore.
Ministri Çeku po ashtu theksoi se homologia e tij e ka ftuar atë për një vizitë në Athinë, me qëllim të konkretizimit të thellimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.
Ndërkaq, ministrja greke Mendoni theksoi se është me rëndësi që shteti i saj dhe Kosova do të bashkëpunojnë në fushën e artit dhe kulturës, teksa refuzoi të flasë për çështje që lidhen me politikën dhe rreth procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti grek.
“Kjo është vizitë e ministrisë së Kulturës për kulturën, prandaj nuk do të flasim për çështje politike. Dua të falënderoj ministrin Çeku për ftesën. Ndihem shumë e veçantë që jam ministrja e parë e kulturës e Greqisë që e viziton Kosovën”, ka theksuar Mendoni.
Ajo theksoi se gjatë takimit me ministrin Çeku kanë pasur diskutime shumë të frytshme për temat e artit bashkëkohor.
“Jemi shumë të lumtur që kemi filluar bashkëpunimin në temat e kulturës dhe artit. Është më rëndësi që më hapa të shpejt të punojmë në arritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”, tha ajo.























