Rama: Raporti i Dick Marty është ‘fake news’ më i madh
N. Mekolli /RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po i drejtohet sot Këshillit të Evropës në Strasburg. Kryeministri shqiptar gjatë këtij adresimi pritet të kërkojë rishikimin e Rezolutës 1782 (të miratuar në vitin 2011) për raportin e Dick Martyt, dhe Këshilli i Evropës t’i shpallë të pabazuara akuzat e këtij raporti për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Rama do të prezantojë para Këshillit të Evropës një rezolutë të Shqipërisë, që kërkon që akuzat e raportit të Martyt të konsiderohen “të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte”.
“Ia vlen t’ia nisim me Shqipërinë, e që ka lidhje më të shkuarën e një vendi dhe zhvillimin në të ardhmen dhe lidhjet mes vendeve të Ballkanit, me vendet e BE-së”, kështu e filloi fjalën e tij, kryeministri Rama.
“Lufta për ju është kujtim i largët, por për ne është plagë që ende dhemb e që kërkon të shërojmë. Nën ombrellën e madhe të këtij institucioni, i cili e përcakton veten si organ udhëheqës në kontinent, kujtesa historike nuk mund të merren lehtë faktet nuk duhet të cenohen nga lojërat e pushtetit. Në dekadat e fundit institucionet ndërkombëtare kanë qenë faktorë ndërmjetësues në konfliktet në Ballkan", tha Rama.
Ai tha se Shqipëria vijon të ndërtojë të ardhmen, ndërsa lufton trashëgimin e së shkuarës të zhvillimit të institucioneve demokratike, ndërkohë që ndiqet nga fantazmat e autoritarizmit, vijon të ndërtojë një marrëdhënie solide me fqinjët e saj përfshirë Serbinë, e cila jo shumë larg më parë konsiderohej armik për vdekje, por tashmë është partner në nismën strategjike për ‘Ballkanin e Hapur’”.
Rama: Kosovën duhet ta quani Kosova e jo 'Kosovo'
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij në Këshillin e Evropës, ka thënë se ka ardhur momenti që Kosova të shkruhet “Kosova”, ashtu siç e ka emrin, dhe jo si “Kosovo”.
“Ka kombe ne historinë e botës që jetojnë të gjithë jetën duke mbrojtur lirinë e tyre, të rrethuar nga dhuna e gënjeshtrat apo hipokrizia ndërkombëtare që bën sehir, ata shpresojnë të rezistojnë për aq kohë sa munden, ky është rasti i Ukrainës, e ky është rasti i Kosovës disa dekada më parë. Sa i zellshëm është Putin për të hequr paralele mes Krimesë dhe Kosovës, provat nuk e mbështesin, nuk ka asnjë paralele mes Kosovës dhe Krimesë, por mes Ukrainës dhe Kosovës, të nisni t’u mësoni edhe organizmave të tjera ndërkombëtarë që ta shkruajnë Kosova jo Kosovo, është Republika e Kosovës”, tha Rama.
Rama: Pretendimet e Raportit të Dick Martyt, të pavërtetuara
Kryeministri Rama tha se Raporti i Dick Marty është ‘fake news’ më i madh që është shpërndarë ndonjëherë.
“Carla del Ponte botoi një libër kujtimesh ku pretendonte se krime të tmerrshme ishin kryer nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshi trafikimin e organeve njerëzore. Libri, shkaktoi tronditje në mbarë botën dhe kjo akuzë zuri faqet e para nga Evropa në Australi. Pavarësisht faktit. Akuzat u mohuan kategorikisht në Kosovë. Pyetja ishte çfarë e ndaloi një prokurore Çfarë e ndaloi një prokurore për hetime konkrete?”, pyet Rama.
Rama tutje përkujtoi faktin se kreu i delegacionit rus në asamble, në 2008 paraqiti një mocion: Trajtim çnjerëzor i njerëzve dhe trafikim i paligjshëm i organeve në Kosovë. Mocioni ky që u mor nga ky organizëm që hartoi një raport e pretendoi se kreu kërkime të pavarura në rajon. “Raporti përmendte me emër drejtues të lartë të ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe i akuzonte për kryerjen e krimeve të tmerrshme”, tha Rama.
"Shqiptarët këtu të pranishëm, nuk e penguan këtë, dhe edhe pse nuk pati asnjë provë ajo rezolutë u miratua në tërësinë e vet e fjalë për fjalë, në 2011.” vijoi Rama.
“Raporti përmendte me emër drejtues të lartë të UÇK dhe i akuzonte për krime të tmerrshme, përfshirë edhe trafikim organesh. Por, ai raport nuk provoi asnjë nga akuzat. Unë jam këtu sot jo sepse ne nuk e dinim që ky është lajmi më i tmerrshëm i shpërndare ndonjëherë, i shpërndarë këtë herë nga Këshilli i Evropës por pritëm me durim për të parë akuzën zyrtare. Ato janë pretendime tërësisht të pavërtetuara të një ish-kryeprokurore në kërkim të shitjeve të mëdha të librit të saj, që çoi në një mocion e më pas në një raport që më pas u shndërrua në një rezolutë të kësaj Asambleje Parlamentare, e që në fund çoi në krijimin e Prokurorisë Speciale që kërkon të dënojë drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Rama.
Rama: Thaçi në Hagë, sikur pas 10 vitesh Zelensky të arrestohet për trafikim organesh!
Kryeministri Rama gjatë fjalimit të tij ka bërë paralele mes Hashim Thaçit dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ai tha se diçka surreale nëse do të mendohej se Zelensky do të arrestohet pas 10 vitesh për trafikim organesh.
“Përpiquni të përfytyroni Zelenksyn 10 vite më vonë që bëhet pjesë e diçkaje surreale siç është Thaçi, dhe Kremlini dhe Moska ka thënë se në Ukrainë ka trafikim të organeve njerëzore”, tha Rama.
Rama: Ju bëj thirrje që të rrëzoni akuzat kundër Kosovës
Ai u shpreh i bindur se Kosova do t’ia dalë, do të ecë mirë edhe në këtë proces.
“Kjo asamble me çlirimtarët nuk do të na kthejë në heretik. Jam këtu për t’u përgjëruar që të shpëtoni fytyrën e të drejtave të njeriut në Evropë, ta mbroni integritetin tuaj.
Të dëshmoni të gjithë njerëzve të shtypur në botë, viktimave të shkeljeve të të drejtave të njeriut që ata të mund të rezistojnë pa frikë se një ditë ata të mund të akuzohen si kriminelë, që Bashkësia ndërkombëtare nuk do t’ju vijë në ndihmë për t’ju kthyer kurrizin më pas. Ju bëj thirrje të pranoni kërkesën e Shqipërisë për pranimin e një rezolute që kërkon një raport vijues lidhur me akuzat e paprovuara, akuza të turpshme për trafikimin e organeve nga anëtarët e Ushtrisë Heroike Çlirimtare të Kosovës, një krim që kurrë nuk ishte kryer e kurrë nuk do të duhej të ishte atribuuar. Kjo nuk është as për hir të Kosovës e as për hir të Shqipërisë që ju duhet ta miratoni këtë rezolutë, është për nderin tuaj e besueshmërinë tuaj”, tha Rama.
Ai tha se besimi i fortë i shqiptarëve në institucione si ky është është tronditur me këtë vendim, kur e vërteta është shtrëmberuar.























