Totaj: Tinka Kurti, model për brezat e rinj të aktorëve
Sh. Gashi/RTKlive
Aktorja e madhe shqiptare, Tinka Kurti po qëndron për vizitë në qytetin e lashtë të Prizrenit. Ajo ndodhet në Kosovë për promovimin e librit “Tinka Kurti - Ditari i një bashkëshorti”.
E para promovimit të këtij libri, sot, aktorja e mirënjohur është pritur nga kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili i ndau asaj mirënjohje për veprën jetësore.
Totaj tha se ndikimi i Tinka Kurtit në kinematografinë dhe teatrin kombëtar është tejet i madh si dhe është model për brezat e rinj të aktorëve në trevat shqiptare.
Ai numëroi edhe rolet më të fuqishme dramatike të saj që kanë qenë rolet e nënave, por potencoi edhe faktin se po aq e suksesshme ka qenë edhe në zhanrin e komedisë.
“Tinka njihet si protagoniste e filmave ‘Gjaku i Arbrit’, ‘Histori Irkutase’, ‘Fisheku në pajë’ apo ‘Fejesa e Çehovit’. Vlen të theksohet se Tinka Kurti ka interpretuar në filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë, ‘Tana’, në vitin 1958”, tha i pari i Prizrenit.
Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, e dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
























