Marrëveshja për energjinë në fokus të takimit Kurti - Lajçak
M.Shefkiu/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Kryeministri nuk u deklarua për media, por sipas një njoftimi të lëshuar nga Qeveria, thuhet se në këtë takim, mes tjerash është diskutuar për marrëveshjen për energjinë, e nënshkruar muaj më parë në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.
“Në këtë takim po ashtu është biseduar për çështjet aktuale, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që përfundimisht shpie në pagesën e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në këtë takim është biseduar për ecurinë e mëtejshme të procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet për takimet e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Qeveria e Kosovës, po ashtu thuhet se mbetet e përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, marrëveshje kjo e cila sjell normalizim të plotë, sepse e ka në qendër njohjen reciproke.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në një postim në Twiter thotë se e ka mirëpritur mundësinë për të diskutuar në mënyrë të detajuar dhe serioze me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
“Diskutuam për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjeve aktuale të dialogut veçanërisht për energjinë dhe targat”, ka shkruar Lajçak.
E sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë këtij takimi është potencuar Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i pranuar dje “si dukshëm më i mirë sesa vitin e kaluar dhe si një ndër raportet më të mira në rajon”.
“U tha se ky raport tregon qartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për agjendën e BE-së dhe dëshmon arritjet e shënuara në shumë fusha, që kanë kaluar një hap më lart në shkallët e progresit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës, raporton RTKlive.























