Buleshkaj kërkon mbështetje në luftën kundër korrupsionit
BKT
Foto: APK
Lajme

Buleshkaj kërkon mbështetje në luftën kundër korrupsionit

M.Shefkiu/RTKlive

Raporti i djeshëm i Komisionit Evropian për Kosovën, ku vlerëson pozitivisht punën e institucioneve vendore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka nxitur edhe reagimin Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

Drejtori i këtij institucioni, Yll Buleshkaj thotë se Rekomandimet e KE-së, e inkurajojnë APK-në që të angazhohet edhe më shumë, bashkë me institucionet tjera, në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Buleshkaj thotë se Raporti i Progresit për Kosovën njeh progresin e arritur me miratimin e legjislacionit të rëndësishëm kundër korrupsionit, duke përfshirë Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë, por edhe punën e APK për të trajtuar me shpejtësi lëndët e prapambetura.

“Rekomandimet e Raportit të vendit për Kosovën na inkurajojnë që në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit të punojmë së bashku me institucionet tjera me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë institucionale” ka theksuar Buleshkaj, njofton APK.

Drejtori i APK-së u ka bërë thirrje institucioneve vendore për bashkëpunim dhe mbështetje institucionale për APK-në në zbatimin e legjislacionit të ri që, duke kërkuar gjithashtu fuqizim të agjencisë në kuptimin e ekspertizës profesionale, për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

“Është thelbësore të forcohet kapaciteti i Agjencisë, për sa i përket personelit dhe ekspertizës, dhe buxheti i saj duhet të rritet, në mënyrë që të përmbushë plotësisht dhe në mënyrë efektive mandatin dhe kompetencat e reja, duke përfshirë verifikimin e deklaratave të pasurisë dhe zbatimin e ligjit të ri”, citon Buleshkaj raportin e Progresit, raporton RTKlive.


MË SHUME NGA Lajme