Kurti dhe Klingbeil biseduan për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë
V.Thaçi/ RTKlive
Kryeministri Albin Kurti, ka takuar sot Lars Klingbeil, bashkëdrejtues i Partisë Social Demokrate gjermane.
Në takimin e zhvilluar në kuadër të Kongresit të Partisë Evropiane Socialiste, u bisedua për rëndësinë e vëmendjes së shtuar të Gjermanisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për Kosovën në veçanti, njofton zyra e kryeministrit.
Sipas njoftimit, në këtë takim, u bisedua për bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe pritshmëritë nga ky samit që do të mbahet në muajin e ardhshëm.
Duke folur për zhvillimet gjeopolitike dhe sanksionet si përgjigje ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, u theksua se është e rëndësishme që partnerët evropianë të qëndrojnë të bashkuar gjatë muajve të ardhshëm, thuhet në njoftim.
Po ashtu u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës si dhe ato ndërpartiake në mes SPD-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Në veçanti u fol për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sistemin dual të arsimit dhe mbështetjen teknike.























