SBASHK-u dhe prindërit kundër mbajtjes së mësimit të shtunave|Video
Arlinda Sejda /RTK
22 ditët e humbura mësimore shkaku i grevës së mësimdhënësve po kërkohet nga Ministria e Arsimit që të zëvendësohen gjatë ditëve të shtunë.
Ministrja Nagavci, sot, bëri të ditur që nga kjo e shtunë do të zëvendësohen orët e humbura, derisa theksoi se nesër inspektorët e arsimit do të jenë në terren për të parë nëse mësimdhënësit janë në vendin e tyre të punës.
Nga SBASHK-u vazhdojnë të kundërshtojnë zëvendësimin e orëve të humbura mësimore nga greva. Edhe Këshilli i Prindërve po vazhdon të kundërshtojë këtë vendim.
Nagavci tha se mësimdhënësit të cilët nuk do ta respektojnë këtë vendim, nuk do të kompensohen.
“Do të sigurohemi që secila orë e humbur të mbahet gjatë ditëve në vijim dhe janë edhe çështjet praktike. Kushdo që propozon që mësimi të mbahet në atë mënyrë që të shtohet vetëm një orë në fund të ditës, ose tregon që nuk kupton sesi organizohet procesi mësimor ose tregon që po bën thirrje që të bëhet një mashtrim sepse është e pamundur që të mbahet vetëm një orë në fund të ditës. Sigurisht inspektorët e arsimit nesër do të jenë në terren. Ne kemi pasur mirëkuptim dhe kemi realizuar pagesat me avans, nëse nuk mbahet dita e mësimit, sigurisht se nuk do të ketë edhe kompensim”, ka theksuar Nagavci.
Nga SBASHK-u vazhdojnë të kenë qëndrimin e njëjtë, duke kundërshtuar kompensimin e orëve të humbura, meqë sipas sindikalistëve kjo është në kundërshtim me Ligjin për Greva.
"Ne kemi marrë një vendim të tillë nga zëri i anëtarësisë që nuk do të mbahet mësimi ditën e nesërme. Ndërsa vendimi i ndërmarr njëanshëm nga ana e ministres Nagavci është vendim i saj. Ligji i Punës shumë mirë e precizon se janë 5 ditë pune dhe në rast se punohet ditën e shtunë, duhet t’ju paguhet shtesë, që është diku 150% e ngritjes së pagës, jo në tërësi po për ditën që është punuar", tha Vjollca Shala, nënkryetare në SBASHK.
Gjatë ditës Ministria e Arsimit ka njoftuar se këtë të shtunë do të mbahet mësimi për nxënësit e klasave 1-8.
Po ashtu me një vendim për zëvendësimin e orëve të humbura kanë dalë disa shkolla të Prishtinës: “Ismail Qemali “ dhe “Faik Konica”.
Mirëpo Këshilli i Prindërve të Kosovës po e kundërshton këtë vendim. Përmes një shkrimi në rrjete sociale ky Këshill ka shkruar se mësimi të shtunave është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, ndërsa ka shtuar se fëmijët kanë të drejta dhe prindërit obligohen t’i mbrojnë.























