ARKIV Punëtori me artistin Artan Hajrullahu
Sh.Gashi/RTKlive
Instituti i Artit Bashkëkohor ARKIV në Pejë, ka njoftuar se ka organizuar punëtori të artistit Artan Hajrullahu me nxënësit e klubit të artistëve të shkollës "Vaso Pash Shkodrani" Pejë, me 18 tetor 2022 nga ora 13:30.
Kjo punëtoria do të organizohet për të vetëdijesuar të rinjtë rreth artit bashkëkohor, teknikave e perceptimeve të artistëve dhe krijimtarisë nga këndvështrimi i artistit Artan Hajrullahu.
“Rreth 50 nxënës do të kenë mundësi që nga afër ta shohin dhe kuptojnë ekspozitën "The Silence Took a Hold of the Rooms" të artistit Artan Hajrullahu në Institutin e Artit Bashkëkohor ARKIV dhe njëkohësisht të kuptojnë më shumë rreth frymëzimit, procesit dhe krijimtarisë së artistit. ARKIV, Instituti i Artit Bashkëkohor me 23 korrik 2022 bëri hapjen e Institutit ku prezantoi artistin, Artan Hajrullahu, si pjesë e serive për artin bashkëkohor, përmes ekspozitës, "The Silence Took a Hold of the Rooms". Artani jeton dhe punon në Gjilan të Kosovës, artist që është shfaqur si një nga piktorët kryesorë të Kosovës. Pikturat e tij intime figurative dhe historia kulturore, krijon tregime që kundërshtojnë interpretimin e mirëfilltë” thuhet në njoftim.
ARKIV, Instituti i Artit Bashkëkohor është institucioni i parë publik i dedikuar artit bashkëkohor në rajonin e Pejës. Duke bashkuar artistë vendas, kombëtarë dhe ndërkombëtarë në të gjithë disiplinat, ARKIV do të jetë një qendër e krijuar për kërkime të avancuara, të menduarit kritik, eksperimentim dhe dialog.























