Presidentja në takim me ambasadorë: Të mos ketë kushte shtesë për vizat
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Një tjetër takim me të tjerë ambasadorë të vendeve të BE-së e ka zhvilluar e para e shtetit, Vjosa Osmani. Sot në zyrën presidenciale ajo priti ambasadorët e Gjermanisë, Italisë dhe të Sllovenisë.
Siç bëhet e ditur me të tre diplomatët presidentja diskutoi për raportet ndërshtetërore, në mënyrë të veçantë për përkrahjen nga këto vende për sa i takon procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Me ambasadorët e këtyre vendeve, Presidentja diskutoi posaçërisht për zhvillimet politike të cilat kanë rrjedhë pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.
Osmani ka falënderuar shtetet mike, Gjermaninë, Italinë dhe Slloveninë për përkrahjen e vazhdueshme që ato ia kanë dhënë Kosovës në procese të ndryshme derisa ka folur për rëndësinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe tash kur Kosova pret që të përmbyllet procesi shumë i rëndësishëm i krijimit të mundësive për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Presidentja Osmani theksoi se vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh edhe rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën, meqë shteti ynë i ka plotësuar të gjitha kriteret”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Po kaq e rëndësishme, ka thënë e para e shtetit është që të mos lejohet në asnjë mënyrë që të vendosen kritere shtesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Sepse kjo do të ndikonte në mohimin e një të drejte të qytetarëve tanë dhe do ta lëndonte kredibilitetin e BE-së”, ka thënë ajo.

Osmani ka shprehur besimin që kërkesat teknike, lidhur me ETIAS, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Presidentja ka kërkuar, po kështu, edhe përkrahjen e mëtejme të këtyre vendeve për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Anëtarësimi në këtë organizatë është shumë i rëndësishëm për qytetarët e vendit, ngase u jep atyre mundësi që t’i mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe e ndihmon vendin që t’i avancojë më tej të drejtat e njeriut”, u ka thënë atyre e para e shtetit.
Presidentja, takime me diplomatë të tjerë nga shtete të tjera pritet që të ketë edhe në ditët të vazhdim.























