U hap ekspozita në 25-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës|Video
Elmina Osmani/RTK
Në Muzeun Kombëtar në Prishtinë është hapur ekspozita “Misionarja e bamirësisë - kujtimet e Nënë Terezës në Arkivin Shtetëror”.
Ekspozita u përgatit nga Arkivi Shtetëror i Maqedonisë së Veriut, i cili përfshin të dhëna me rëndësi arkivore, fotografi, dokumente e materiale administrative të qytetit të Shkupit për Nënë Terezën dhe familjen e saj.
Shpresa Jusufi, ambasadore e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj dhe ai i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë së Veriut, Emil Krstesk, premtuan se bashkëpunime të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Ekspozita u hap në 25 vjetorin e vdekjes së Nënës Terezës, ndërsa për 4 ditë do të jetë e hapur në Lapidariumin e Muzeun Kombëtar të Kosovës.























