Portugalia mbështet integrimin e Kosovës në BE e NATO
M.Shefkiu/RTKLive
Portugalia do të mbështesë Republikën e Kosovës drejt integrimit të plotë në strukturat euro-atlantike përfshirë edhe liberalizimin e vizave për kosovarët. Kështu deklaruan përfaqësuesit nga Parlamenti i Portugalisë gjatë një takimit me kryeministrin Albin Kurti.
Ky i fundit i uroi mirëseardhje në Kosovë delegacionit portugez dhe falënderoi Portugalinë për mbështetjen e hershme dhe të vazhdueshme ndaj vendit, popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë nëpërmjet trupave të saj në kuadër të misionit të KFOR-it.
Sipas njoftimit për media lëshuar nga Qeveria, kryeministri ka folur për rolin e rëndësishëm që Portugalia mund të luajë në raport me vendet mos-njohëse, me theks të veçantë te Spanja dhe Brazili.
Delegacioni i parlamentarëve portugez përbëhet nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, deputeti Sergio Sousa Pinto, koordinatori Politik i Partisë Socialdemokrate dhe anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme, deputeti Tiago Moreira de Sa, dhe këshilltari i Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, Raul Oliveira.
Duke folur në emër të delegacionit, deputeti, Sergio Sousa Pinto kanë thënë se së bashku me deputetin De Sa, që vjen nga radhët e Partisë Social Demokrate, përfaqësojnë konsensusin nacional të Portugalisë sa i përket rajonit.
“Në takim u tha se Portugalia gjithashtu mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën pa kushte të reja”, thuhet në njoftim.
“Sa i përket marrëdhënieve të mira dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë, kryeministri Albin Kurti bëri ftesë për rritje të shkëmbimeve tregtare, kulturore dhe ekonomike teksa e njoftoi delegacionin me indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë të vendit si dhe mundësitë që Kosova ofron për investitorë të huaj”, citohet në njoftimin e Qeverisë.
Sipas të njëjtit njoftim, në këtë takim janë shkëmbyer edhe këndvështrime në lidhje me luftën në Ukrainë, për të cilën dy palët ndanë qëndrime të njëjta duke e cilësuar atë si akt agresioni të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj popullit dhe shtetit të Ukrainës.
Kryeministri Kurti e njoftoi delegacionin portugez për vendimet e menjëhershme të Qeverisë së Kosovës në ngritjen e sanksioneve ndaj Rusisë në përputhje me sanksionet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe për programin e Qeverisë për akomodimin e 20 gazetarëve ukrainas, 11 prej të cilëve tashmë janë banorë të Prishtinës. Ai shtoi se solidariteti ndaj Ukrainës duhet të vazhdojë.























