Osmani: Të merret parasysh rekomandimi i KE-së për liberalizim të vizave
BKT
Lajme

Osmani: Të merret parasysh rekomandimi i KE-së për liberalizim të vizave

B. Halimi / RTKlive

Vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet heqjen e vizave, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

Kështu ka theksuar presidentja Vjosa Osmani në takimet që pati me ambasadorë të vendeve të ndryshme të BE-së, të akredituar në Kosovë, lidhur me liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

E para e shtetit  në vazhdën e takimeve me ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, sot, ka takuar ambasadorët e Kroacisë, Bullgarisë, Çekisë dhe Hungarisë.

Në këto takime presidentja Osmani falënderoi Kroacinë, Bullgarinë, Çekinë dhe Hungarinë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, përfshirë takimin e fundit të grupit teknik punues të Këshillit Evropian.

Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani ka theksuar se është më rëndësi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, në procesin e liberalizimit të vizave deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Po ashtu, presidentja theksoi se vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente dhe liberalizimi i vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.

Në të njëjtën linjë, presidentja kërkoi vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës edhe lidhur me procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës, në të cilin mund të mbrohen, promovohen dhe avancohen të drejtat dhe liritë e njeriut.


MË SHUME NGA Lajme