Lushtaku fajëson partitë politike për zvarritjen e Projektligjit për RTK-në
Muharrem Miftari/RTKlive
Qeveria është e vonuar në çdo proces duke shkaktuar pasoja të mëdha në ekonomi, inflacion e sa i përket importit, nuk di si t’i qaset. E po ashtu është vonuar edhe në Ligjin e pagave, por edhe në Projektligjin për RTK-në. Kështu deklaroi deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, në “Info Plus”, në RTK.
Ai, si mundësi për ta zbutur krizën ekonomike e sheh heqjen e TVSH-së dhe akcizës në naftë.
Lushtaku tha se në politikat fiskale, pavarësisht vërejtjeve të opozitës ndaj krizës, qeveria nuk është treguar e dëgjueshme. Tutje ai përmendi se me 11% investime kapitale nuk është i mjaftueshëm në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të vendit.
“Qeveria është kompetente dhe llogaridhënëse për gjendjen në vend”, deklaroi Lushtaku, derisa vuri në dukje nismën ligjore nga PDK që në fillim të këtij viti për uljen e TVSH-së, por që asokohe ishte injoruar nga partia në pushtet e që, sipas tij, tani është vonë, duke përmendur fushën e energjisë, ku qeveria është treguar e papërgjegjshme ndaj qytetarëve të vendit.
Lushtaku, mes tjerash, kritikoi qasjen e qeverisë në trajtimin e krizës, në mungesën e dialogut saocial me kategori të ndryshme shoqërore në zgjidhjen e problemeve.
“Kriza nuk është e shkaktuar nga Kosova, por zgjidhjen e problemeve duhet marrë seriozisht, ngase lufta në Ukrainë është ditur se do të shkaktojë krizë botërore dhe qeveria do të duhej të vepronte në sanimin e gjendjes, sidomos tani në sezonin e dimrit, por vonë ka reflektuar për krizën në vend”, deklaroi Lushtaku në “Info Plus”, në RTK.
Ai kritikoi edhe për Ligjin për pagat, si dhe projektbuxhetin për Radio Televizionin e Kosovës, që, sipas tij, nuk mundëson funksionim të drejtë dhe të paanshëm, duke vënë në dukje buxhetin e vitit 2013 dhe tani, i sivjetmë, që, siç tha ai, është i njëjtë, kur dihet sa ishte buxheti i shteti atëherë dhe sot.
Lushtaku përmendi edhe reagimin e Komisionit Evropian që, nga shkaku i buxhetit, nuk ka pavarësi në aspektin funksional, derisa ftoi qeverinë që problemet që janë ende pa u zgjidhur, të zgjidhen sa më shpejtë.
Ai zvarritjen për Projektligjin për RTK ka fajësuar partitë politike dhe situatën e ndodhur në vend, ngase kanë ndodhur shumë palë zgjedhje, që ka ndikuar në zvarritjen e këtij projektligji.























