UNOPS, mbështetje promovimit të artizanatit të Krujës
ATSH
Falë mbështetjes së UNOPS, në Pazarin e Vjetër të Krujës, do të zbatohet projekti “Artizanët mes të shkuarës dhe të ardhmes”, i organizatës “Progres Foundation” që bashkë me të gjithë aktorët lokalë, do synojë të zgjidhë disa nga nevojat e adresuara nga komuniteti.
Në një postim të bashkisë Krujë në rrjetet sociale, shkruhet se në sajë të këtij projekti do të arrihet aftësim digjital dhe marketing, brandimi i çdo artizani, dhurimi i stendave për panaire dhe tabletave, vendosja e infokioskës digjitale në Krujë, përfshirja e të rinjve të qytetit në klasat artizanale etj. Këto janë vetëm disa nga objektivat që pritet të arrihen.
“Për artizanatin e Krujës, me angazhimin e përbashkët për ta ruajtur dhe promovuar këtë aset të paçmuar të etnografisë shqiptare”, shkruan bashkia Krujë.
Thirrja për Propozime “RECRAFT THE PAST: Build Up the Future II”, do të financojë projekte për të mbështetur rritjen sociale dhe ekonomike të komuniteteve pranë objekteve të trashëgimisë kulturore në bashkitë e Tiranës, Mirditës, Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës dhe Krujës.























