Escobar pas takimit me Vuçiqin: Pres vazhdim dinamik të dialogut
BKT
Foto: Anamari Repic
Lajme

Escobar pas takimit me Vuçiqin: Pres vazhdim dinamik të dialogut

B. Halimi / RTKlive

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se pret nga të dyja palët që të vazhdojnë në mënyrë dinamike dhe konstruktive dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Escobar ka thënë se një gjë e tillë “është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon”.

Ndërkaq në komunikatën e presidencës serbe pas takimit thuhet se Vuçiq e Escobar kanë biseduar për çështjet aktuale në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, mundësitë e vazhdimit të dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme.

“Presidenti Vuçiq edhe një herë theksoi përkushtimin e plotë të Serbisë për vazhdimin e procesit të dialogut dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në Bruksel dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media të zyrës së presidentit të Serbisë.

Escobar po qëndron sot në Beograd, një ditë pas vizitës në Kosovë, ku pati takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, e ku ripohoi mbështetjen amerikane për Kosovën në synimin e saj integrimet euro-atlantike.


MË SHUME NGA Lajme