Lëvizja për Bashkim: Çdo asociacion me shumicë serbe e bosnjëzon Kosovën
BKT
Lajme

Lëvizja për Bashkim: Çdo asociacion me shumicë serbe e bosnjëzon Kosovën

Fadil Sertolli / RTKlive

Lëvizja për Bashkim ka kundërshtuar çdo përpjekje për të jetësuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas një kumtesë për medie, LB thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe tash e 9 vjet është bërë sinonim i legalizimit të një autonomie politike të pakicës serbe brenda shtetit të Kosovës.

Lëvizja për Bashkim thotë se bartësit e institucioneve të shtetit të Kosovës kanë hezituar dhe hezitojnë ta jetësojnë Asociacionin. Sipas Lëvizjes për Bashkim, edhe qeveritë që e kanë nënshkruar marrëveshjen për “Asociacionin…”, kanë hezituar ta jetësojnë atë, e madje edhe qeveria e tanishme, “e ka demonstruar edhe forcërisht qëndrimin kundër”.

“Në mënyrë që shteti i Kosovës ta përpijë më lehtë jetësimin e këtij asociacioni, disa segmente të politikës sonë, e sidomos miqtë ndërkombëtarë, thonë se asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe pa kompetenca ekzekutive. Këtë të fundit nuk e përmendin qartë miqtë ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes për Bashkim.

Mirëpo, sipas LB-së, sado që do të ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, një asociacion i komunave me shumicë serbe do ta bënte shtetin e Kosovës  më pak funksional sesa është tani.  

“Që të jemi më të saktë: Republika e Kosovës, me të drejtën e pakicave për votim të dyfishtë, të sanksionuar në Kushtetutë, në njërën anë; dhe me pushtetin ilegal nëpër komuna me shumicë serbe, në anën tjetër, tashmë është e bosnjëzuar. Një asociacion i komunave me shumicë serbe, me çfarëdo kompetencash, vetëm se do ta legalizonte tërësisht dhe përfundimisht bosnjëzimin e shtetit të Kosovës”, vlerëson Lëvizja për Bashkim.


MË SHUME NGA Lajme