Islamaj,një nga personalitetet më të spikatura në gjuhësinë shqiptare|Video
Sahadete Krasniqi/ RTK
Në dokumentarin “Gjurmë” të RTK-së këtë javë është paraqitur prof. dr. Shefkije Islamaj, e cila ka folur për jetën e vet qysh nga fëmijëria dhe për krijimtarinë shkencore dhe letrare. Përpos saj, për kontributin e saj shkencor mbi 40-vjeçar kanë folur studiues të gjuhës dhe të letërsisë nga Kosova dhe Shqipëria. Ata e kanë vlerësuar shumë personalitetin dhe punën e saj.
“Ajo është doktoresha e parë e gjuhësisë në Kosovë”, ka thënë drejtori i Institutit Albanologjik, prof. dr. Hysen Matoshi.
Profesor Agim Vinca ka thënë se “për profesoreshën Islamaj gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi, por mënyrë e përjetimit të botës dhe, madje, edhe e krijimit të botës”.
“Shefkije Islamaj është një nga personalitetet më të spikatura në gjuhësinë shqiptare të ditëve të sotme”, ka thënë prof. dr. Valter Memisha.
Profesoresha Sala Ahmetaj-Çitaku ka thënë se ajo “[Shefkije Islamaj] ka bërë një punë vëllimore dhe të çmuar”, kurse studiuesi i letërsisë, prof. dr. Fadil Grajçevci, ka thënë se ajo “ka studiuar pothuajse gjuhën e të gjithë shkrimtarëve të historisë së letërsisë shqipe”.
Edhe gjeneratat e studiuesve të rinj në Institutin Albanologjik e kanë përshkruar burim frymëzimi për ta.
“Ajo ka ndikuar jo vetëm tek unë, por te gjithë brezi i ri i punonjësve shkencorë të Institutit, që ne të formohemi dhe të avancohemi me studimet tona”, ka thënë prof. asoc. dr. Naim Berisha.
Profesoresha Shefkije Islamaj, duke kujtuar punën e vete shkencore bërë ndër vite, ka thënë se “jam ngritur në mëngjes e jam ngrysur me librat për gjuhën e rreth gjuhës”.
Dashuria për gjuhën shqipe Shefkije Islamajt i kishte lindur në një kohë jo të zakonshme për fëmijë. Në moshën tetëvjeçare ajo kishte filluar të shkruante shkrimet e para, dhe jo shumë më vonë kishte vendosur të studionte për gjuhën shqipe. Shkrimet e saj ishin botuar në ato gazeta dhe revista të pakta të kohës. Ajo kishte pasion leximin, madje lexonte edhe pa qenë e detyruar nga mësuesit dhe profesorët. Të gjitha librat që gjendeshin në bibliotekën e asaj kohe kalonin nëpër duart e saj.
Sa ishte në shkollën e mesme ajo ishte lexuese e pasionuar e letërsisë, e veprave letrare. Ajo depërtonte thellë në romanet e kohës me anë të vështrimit kritik. Përpos qasjes kritike, ajo shquhej edhe për shkrimet letrare. Në vitin 1972 punimi i saj kishte marrë çmimin e parë në ish-Jugosllavi.
Vendimi i saj në fëmijëri për të studiuar për gjuhën shqipe nuk ishte një dëshirë fëmijërore, por ishte vendim i mirëfilltë. Ajo pas përfundimit të shkollës së mesme filloi studimet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, ku dallohet për përkushtimin dhe rezultatet në studime. Këto rezultate ia hapën rrugën që në moshën 23-vjeçare të pranohet asistente në Institutin Albanologjik, në Degën e Gjuhësisë. Ky punësim nuk ishte një rastësi por, meqë ishte studente e dalluar, profesorët e asaj kohe kishin vendosur ta angazhonin në Institutin Albanologjik, sepse ishin të bindur se ajo aty e kishte oazën e krijimit dhe do ta vazhdonte kontributin për zhvillimin e gjuhës shqipe.
Fakti se ishte e vetmja vajzë në Degën e Gjuhësisë në Institut nuk ishte pengesë. Ajo shumë shpejt filloi të marrë pjesë në konferencë shkencore me kumtesa.
Veprimtaria shkencore e Shefkije Islamajt është shumë e pasur, e gjerë dhe e larmishme. Ajo çau me guxim një rrugë shumë pak të shkelur, hodhi hapa të vështirë duke u hapur udhë shumë studiuesve të rinj, që në të ardhmen do të merren me gjuhën e autorëve, një fushë studimesh fare pak e rrahur në gjuhësinë tonë.
Instituti Albanologjik për studiuesen Shefkije Islamaj edhe sot është shtëpia e saj e dytë, ngaqë ndjesia që i krijon ky mjedis, është ngrohtësi e shtëpisë.
Ndër vite ajo u bë burim frymëzimi për studiuesit e rinj duke nxitur interesim për studime të tjera.
Shefkije Islamaj është gruaja e parë që u doktorua në shkencat e gjuhësisë në Kosovë. Opusi i saj studimor në fushën e studimeve gjuhësore mbetet deri sot i papërsëritshëm, qoftë si vëllim, qoftë si rezultat shkencor në mbarë hapësirën shqiptare.
Në kohën e ndryshimeve të mëdha historike, shoqërore dhe politike, studiuesja Shefkije Islamaj përmend rëndësinë e Institutit Albanologjik që kishte luajtur rol rrënjësor fillimisht në përpjekjet për çlirim, mobilizim dhe deri në arritjen e pavarësisë së shtetit.
Përfaqësuese kryesore në semantikën gjuhësore, ajo ka trajtuar vepra të ndryshme të gjuhës shqipe, të cilat u kanë shërbyer studiuesve të gjuhës dhe lexuesve në përgjithësi. Është e para që është marrë me studime të tilla, ka trajtuar veprat e Fishtës, të Xoxës dhe të Qosjes.
Ajo ka lëvruar në fushën e letërsisë, në funksionin e saj, në funksionin e gjuhës. Ajo është pjesë e grupit hartues të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, që tregon për një arritje maksimale në aspektin shkencor.
Shefkije Islamaj është leksikografja e vetme në grupin e ekspertëve mbarëkombëtarë për hartimin e fjalorit gjuhësor të gjuhës shqipe.
Shefkije Islamaj ishte laureate e dy çmimeve të rëndësishme: “Pjetër Bogdani” dhënë nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës për librin “Gjuha dhe identiteti” si vepra më e mirë e vitit në të gjitha zhanret, ndërsa çmimi “Shkencëtar i Vitit” i është dhënë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë
për rezultate të veçanta në hulumtime shkencore dhe për kontribut për zhvillimin e shkencës në Kosovë.
Krijimtaria e saj shkencore ka përshin edhe një gamë të gjerë të shkrimeve të botuara në mediet e kohës, të cilat shkrime ishin vënë në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe ligjërimit të saj.
Studiuesja Shefkije Islamaj disa vjet pas luftës kishte shkruar dhe botuar një roman për luftën e Kosovës, i pari roman i shkruar për luftën. Romani përfshin disa personazhe, por njëra e kishte fatin më të rëndë, pasi plagët e luftës i bartte në trupin e saj. Me titullin “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr”, ky roman ka trajtuar luftën në përgjithësi, në veçanti fatin e grave të dhunuara.
Krijimtaria shkencore dhe profesionale e Shefkije Islamajt
Krijimtaria e saj për gjuhën është shumë e pasur. Ajo është autore e katër monografive shkencore, e gjashtë përmbledhjeve studimesh e trajtesash, e një fjalori (bashkautore), e një romani, e gjashtë teksteve mësimore dhe autore e mbi 450 studimeve, trajtesave, artikujve, kritikave, recensioneve shkencore dhe letrare.
Gjatë karrierës ka pasur edhe këto detyra:
Kryeredaktore e revistës shkencore të Institutit Albanologjik “Gjurmime albanologjike” (2004 e në vijim).
Anëtare e redaksisë së revistës “Gjuha shqipe”, botim i Institutit Albanologjik, 1985-2019.
Anëtare e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën (Shqipëri, Kosovë) dhe kryetare e Grupit për Çështje të Leksikut (për Kosovë), 2004-2020.
Anëtare e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave me seli në Tiranë, 2016 e në vijim.
Anëtare e Kryesisë së AShASh, 2017-2018.
Kryetare e Pleqësisë së Institutit Albanologjik, 1982-1984.
Kryetare e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, 2014-12015.
Shefe e Degës së Gjuhës në Institutin Albanologjik, 1982-1992.
Nënkryetare e Shoqatës së Gjuhës Shqipe, 2002 e 2017.
Anëtare e Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare (Tiranë).
Anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në dy mandate.























