QUINT-i te kryeministri Kurti, flasin për dialogun e targat
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

QUINT-i te kryeministri Kurti, flasin për dialogun e targat

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it bashkë me përfaqësuesin e zyrës së BE-së në Kosovë kanë qëndruar sot në kryeministri, aty ku u pritën nga kreu qeveritar Albin Kurti e zëvendësi i tij Besnik Bislimi.

Në takim u diskutua për zhvillimet në vend, procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjet aktuale, me theks te energjia dhe vendimi i Qeverisë për targat e veturave.

“Për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Siç bëhet e ditur në këtë takim mes Kurtit dhe ambasadorëve energjia kishte vëmendje të veçantë.

“Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për masat e qeverisë në ndihmë të qytetarëve dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike që ka kapluar të gjithë kontinentin e Evropës. Ai po ashtu foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord”, thuhet tutje në njoftimin e ekzekutivit për këtë takim.

Në lidhje me vendimin për targa, kryeministri ka thënë se nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës.

“Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare”, është shprehur Kurti.


MË SHUME NGA Lajme