Parlamenti ukrainas do ta themelojë grupin “Miqtë e Kosovës”
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Deputetja ukrainase Yevheniya Kravchuk ka paralajmëruar se së shpejti në parlamentin e shtetit që përfaqëson do të krijohet një Grup Parlamentar nga pozita dhe opozita e i cili do të emërohet “Miqtë e Kosovës”.
Në emisionin “Info Plus” të RTK-së ligjvënësja e shtetit që ende nuk e ka njohur Kosovën thotë se ky grup i miqësisë pritet të themelohet qysh në seancën e radhës të parlamentit ukrainas.
“E di që do të pyesni pse Ukraina nuk e ka njohur Kosovën mënyrë zyrtare. Në parlament kemi vendosur të krijojmë një Grup Parlamentar, ende nuk e ka statusin zyrtar të miqësisë midis Ukrainës e Kosovës ngase nuk është njohur ende, por ne do të formojmë një grup nga parti të ndryshme të pozitës e opozitës dhe planifikojmë që ta emërojmë “miqtë e Kosovës dhe besoj që kjo do të bëhet në seancën e radhës në parlamentin ukrainas”, ka thënë ajo.
Kravchuk e cila qëndroi në Kosovë në kuadër të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nën patronatin e presidentes Vjosa Osmani tha se është hera e parë që qëndron jo vetëm në Kosovë, por në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ajo tha se për të ardhur deri këtu iu desh të ndërronte dy trena deri në Poloni e dy aeroplanë deri në Kosovë.
E pyetur nëse Ukraina do ta njoh Kosovën pas përfundimit të luftës atje, ajo tha se për popullin ukrainas në rend të parë është kthimi i integritetit territorial e pastaj tha ajo sigurisht që do të ketë një vendim edhe për këtë.
“Ka gjëra që po lëvizin, por thjeshtë kjo do të marr pak kohë”, tha ajo.
Ka treguar se deri tash në parlamentin ukrainas kanë mbajtur më shumë se 30 seanca parlamentare përkundër rrezikut që i kanoset çdo ditë nga sulmet me raketa ruse derisa tha se sikur bota t’i ndihmonte më herët e t’i jepej mundësia të mbyllnin qiellin do të kishte më pak jetë të humbura e më pak infrastrukturë të shkatërruar.
Ajo ka shprehur bindjen se Ukraina do të triumfojë karshi luftës së dirigjuar nga Putini.
“Ukraina do ta fitojë këtë luftë, do të jetë fitore e gjithë botës ndaj tiranisë”.























