Raportet Kosovë-Serbi, temë diskutimi mes Kurtit e Peach
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Raportet Kosovë-Serbi, temë diskutimi mes Kurtit e Peach

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të Dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Temë diskutimi në mes të kreut qeveritar me emisarin special të mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor ishte angazhimi i Qeverisë në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër, zbatimi  i udhërrëfyesit për energji si dhe çështje të tjera aktuale.

Emisari Peach sipas njoftimit qeveritar ritheksoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, si dhe për nismat për bashkëpunim rajonal.

“Duke theksuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Kryeministri Kurti ritheksoi synimin dhe angazhimin e Qeverisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”.

 Në këtë takim u fol edhe për invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, derisa u theksuan pasojat ekonomike dhe energjetike të agresionit rus.

Ndërkohë kryeministri Kurti Kurti e ka njoftuar emisarin Peach për masat e ndërmarra nga Qeveria, në mbështetje të qytetarëve, nëpërmjet Pakos për Përballje me Inflacionin si dhe asaj të Ringjalljes Ekonomike.

Në këtë takim gjithashtu u bisedua për bashkëpunimin rajonal dhe Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.

Samiti i Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans Summit 2022”, që është organizim i The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit që do të mbahet nesër në Prishtinë, ishte një tjetër temë që u prek në takim mes Kurtit e emisarit Peach.


MË SHUME NGA Lajme