Abazi: Deri në fund të vitit mund të marrim përgjigje pozitive për vizat
Venera Xhoxhaj - Adili /RTK
Kosova mund të marrë një përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave deri në fund të vitit dhe për këtë proces ka edhe mbështetjen e Francës. Kështu ka deklaruar kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, pas një takimi në këtë komision me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot. Edhe ky i fundit ka thënë se disa shqetësime të ngritura nga Franca duhet të adresohen.
Takimi me ligjvënësit kosovarë në këtë Komision, është mbajtur me dyer të mbyllura, e për këtë çështje nuk ka pranuar të deklarohet diplomati francez. Për temat që u diskutuan në Komision foli vetëm kryesuesi i Komisionit, Haki Abazi.
"Ambasadori ka konfirmuar pozicionin e presidentit Macron të shprehur në qershor dhe “Trekëndëshit i Vaimarit” për të qenurit në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe natyrisht me një prapashtesë sepse ka disa shqetësime që duhet të adresohen. Ky është formulimi i saktë të cilën ne kemi biseduar dhe e kemi pyetur se çfarë në fakt do të thotë për qytetarët e Kosovës që ky proces të mos ketë qartësime të plotë. Ai është përgjigjur se është një klub i shteteve të Bashkimit Evropian që po bënë negociata për të gjitha aspektet përfshirë edhe ETIAS si sistem, i cili jo domosdoshmërisht e prek vetëm Kosovën ", ka deklaruar Abazi.
Tutje ai shtoi se në bazë të asaj që kanë diskutuar mund të thuhet ky proces do të vazhdoj dhe ka shpresa që deri në fund të vitit të marrim përgjigje pozitive sa i përket dinamizimit të procesit të liberalizimit të vizave.
Ndryshe, ETIAS është sistem evropian për informacionin e udhëtimit. Ky sistem elektronik mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen. Procedura ligjore për të miratuar këtë sistem ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023.
























