Gratë kosovare më të përkushtuara se burrat ndaj fëmijëve e të moshuarve
BKT
Lajme

Gratë kosovare më të përkushtuara se burrat ndaj fëmijëve e të moshuarve

M.Sh/RTKlive

Në Republikën e Kosovës, gratë shpenzojnë mesatarisht 6.2 orë, ndërsa burrat vetëm 3.5 orë në punë për kujdesje të papaguar në ditë. Kjo është një nga të gjeturat kryesore të raportit hulumtues “Who Cares – Përkujdesja si punë e papaguar në Kosovë”, që e ka zhvilluar Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”.

Sipas këtij hulumtimi, të gjeturat dëshmojnë se përderisa një individ shpenzon mesatarisht 4.9 orë në punë përkujdesjeje të papaguar në Kosovë, gratë shpenzojnë 2.7 orë ose 44 për qind më shumë për punë të  papaguar se burrat.  E krahasuar me orët, gratë shpenzojnë 4.73 orë duke bërë punë shtëpie, 1.97 orë në kujdesin e fëmijëve dhe 1.15 orë në kujdesin e të moshuarve.

Ndërkaq burrat shpenzojnë 2.97 orë duke bërë punë shtëpie, 0.95 orë në kujdesin e fëmijëve dhe 0.42 orë në kujdesin e të moshuarve.

Sa i përket punës me pagesë, gratë dhe burrat shpenzojnë mesatarisht një sasi të ngjashme kohe, gratë 5.6 orë dhe burrat 5.7 orë, thuhet në hulumtim.

Publikimi i raportit “Who Cares – Përkujdesja si punë e papaguar në Kosovë” sjell rezultatet nga hulumtimi sasior dhe cilësor mbi përkujdesjen si punë e papaguar në nivel vendi.

Sipas këtij raport,  hulumtimi është zhvilluar nëpërmjet anketës për matjen e shpenzimit të kohës së qytetarëve mbi kohën sa shpenzojnë kosovarët për fëmijët, për të moshuarit dhe për punë të shtëpisë.


MË SHUME NGA Lajme