Haxhiu: Kodi Civil së shpejti për miratim në Kuvend
BKT
Foto: Donika Sherifi / RTK
Lajme

Haxhiu: Kodi Civil së shpejti për miratim në Kuvend

B. Halimi / RTKlive

(E plotësuar) Së shpejti para deputetëve të Kuvendit do të paraqitet sërish për miratim Kodi Civil. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për media pas mbledhjes së sotme të Qeverisë.

Ajo tha se kësaj radhe duke pasur parasysh edhe rëndësinë e tij, është optimiste se Kodi Civil do të marrë votat e mjaftueshme të deputetëve për miratim. Mirëpo, Haxhiu e pranoi se nuk është e sigurt që secili deputet i VV-së do ta votojë Kodin Civil, teksa tha se secili i ka bindjet e veta.

“Kësaj radhe Kodi Civil do të kalojë në Kuvendin e Kosovës për faktin se është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ne, gjatë kësaj kohe kemi pasur takime me deputetë të grupit tonë parlamentarë. Qeveria jonë sikurse grupi parlamentar angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut. Prandaj, duke pasur ëparasysh rëndësinë që ka Kodi Civil për qytetarët e Kosovës dhe trajton shumë çështje, besojmë që kësaj radhe do të miratohet”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo nuk ka dhënë detaje rreth asaj se çfarë ndryshimesh ka pësuar Projektkodi Civil, por theksoi se ato do të bëhen të ditura pasi ky projektkod të miratohet në Qeveri.

Megjithatë, ministrja e Drejtësisë është shprehur optimiste se kësaj radhe votën pro Kodit Civil do ta japin edhe deputetët e opozitës.

Kodi Civil dështoi të miratohet më 16 mars, për shkak se nuk e pati përkrahjen e deputetëve të opozitës por as të gjithë deputetëve të mazhorancës.

Problematik doli të jetë neni në të cilin theksohej se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara”.

Pas një debati të ashpër parlamentar, 29 deputetë kishin votuar kundër, 28 ishin pro, derisa 4 deputetë abstenuan.

Këto janë vendimet e sotme të Qeverisë

(E plotësuar) Qeveria e Kosovës në mbledhjen e rregullt bëri ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të ekzekutivit për vitin 2022.

Sipas ndryshimeve të Programin Legjislativ shtohen Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për provimin e maturës shtetërore, ndërkaq ndryshohet afati i miratimit nga Qeveria për Projektligjin për shërbimin e jashtëm; Projektligjin për protokollin e shtetit dhe Projektligjin për Diasporën.

Në këtë mbledhje u miratuan tri projektligje: - Projektligji për Ekspertët Gjyqësorë, i cili përcakton kushtet dhe procedurat e licencimit të eksperteve, subjekteve që kryejnë ekspertizën, të drejtat dhe detyrimet e tyre, përfshirjen dhe shlyerjen e subjekteve që kryejnë ekspertizën në regjistër dhe mënyrat e angazhimit të tyre; - Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit i cili ka për qëllim harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe ta bëjë edhe më të zbatueshëm Ligjin për mbrojtje të konsumatorit; - Projektligjit për Zhvillim Rajonal të Balancuar i cili është në përputhje me legjislacionin evropian dhe përcakton parimet themelore të menaxhimit të zhvillimit rajonal. Projektligji përcakton edhe orientimet, përgjegjësitë e institucioneve, institucionet financiare dhe rregullat për zhvillimin e balancuar rajonal në Republikën e Kosovës.  

U themelua Këshilli Organizativ për shënimin e Njëqindedhjetë Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Iu vazhdua mandati për pesë vjet Martin Halilajt, hetues i Aksidenteve Hekurudhore në kuadër të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike nën mbikëqyrjen e  Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike. U bë ndryshimi dhe plotësim i Vendimit të Qeverisë Nr.02/85. U ndan mjete buxhetore në shumën prej katër milionë e dyqind mijë e njëqind (4,200,100.00) euro për blerjen e barnave nga lista esenciale sipas kërkesës së Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. U bë ndryshim dhe plotësimi i Vendimit Nr. 31/99 të datës 30 shtator 2022 për Masat shtesë të Pakos për Ringjalljen Ekonomike për Përballje me Inflacion. U ndanë mjeteve buxhetore në shumën prej nëntëdhjetë e dy mijë (92,000.00) euro për subvencionimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga "The Economist", i cili u zhvillua gjatë kësaj jave në vendin tonë. Nga Qeveria u vlerësua se ky samit i kontribuon promovimit të shtetit tonë dhe krijimit të një platforme për shkëmbim të përvojave të akterëve të politikës, ekonomisë dhe tregtisë. U miratua Strategjia Kombëtare dhe Plani i Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar në Republikën e Kosovës për vitet 2022-2028, e cila synon rregullimin dhe financimin e menagjimit të mekanizmave  për kontroll të qenve me dhe pa pronar në vendin tonë. Strategjia përcakton edhe koordinimin e institucioneve të nivelit qendror dhe lokal përgjegjëse për zbatim të saj. Gjithashtu, u miratua edhe Plani i Veprimit 2022-2023 për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Jo-formale, Pastrimin e Parave, Financimin e Terrorizmit dhe Krimeve Financiare 2019-2023. Plani liston objektivat, aktivitetet dhe financimi i tyre gjatë zbatimit në periudhën e caktuar kohore. Qeveria aprovoi kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për transfer të mjeteve në shumën treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e njëzet e pesë (399,225.00) euro, për transfere deri në 25% të ndarjes së ndikuar negativisht, në kuadër të kategorisë së shpenzimeve "Subvencione dhe Transfere". Po ashtu, u miratuan tri koncept dokumente: - Koncept-dokumenti për Fushën e Menaxhimit të Financave Publike që do të mundësojë përmirësimin e menaxhimit të Financave Publike dhe i cili rekomandon hartimin e një Ligjit të ri për menaxhimin e financave publike; - Koncept-dokumentit për Shoqëritë Tregtare që do të sigurojë nivel më të lartë të ofrimit të shërbimeve ndaj shoqërive tregtare dhe që rekomandon plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shoqëritë Tregtare; - Koncept-dokumenti për Inspektimin në fushën e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit që synon vendosjen e kritereve për mbikëqyrjen e inspektimeve mjedisore, proces i cili është prioritet i Qeverisë përcaktuar edhe me Planin Strategjik Operacional 2021-2025.

Kabineti qeveritar po ashtu u informua nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal lidhur me Koncept-dokumentit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës. Grupi punues ka bërë analizimin dhe rekomandimet e duhura për rregullimin e fushës, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës ka themeluar një komision ad-hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë, e cila do të shtrihet edhe në nivelin lokal të qeverisjes. Nisur nga kjo situatë, Koncept dokumenti prezantohet në Qeveri vetëm për informatë, derisa i njëjti do të dërgohet në komisionin ad-hoc të Kuvendit me qëllim të ndihmës  së trajtimit të problemeve të identifikuara për procesin zgjedhor në nivelin lokal.

U miratua vendimi i shqyrtim të mëtejmë për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Livadicë të Komunës së Podujevës, të cilat preken nga ndërtimi i Zonës Ekonomike Industriale në këtë komunë.

Dhe në fund u miratua nisma për negocim të Marrëveshjes më Republikën e Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në hartimin e Planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë.

Qeveria ndan 4.2 milionë euro shtesë për listën e barnave esenciale

B. Halimi/RTKlive
(E plotësuar) Qeveria e Kosovës ka ndarë 4.2 milion euro për listën e barnave esenciale. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kërkesa për ndarjen e këtij fondi shtesë deri në fund të vitit ka ardhur nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës për nevojën e blerjes së barnave shtesë.

Po ashtu, ekzekutivi ka miratuar edhe projektligjin për ekspertët gjyqësor, për të cilin draft ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se për herë të parë Kosova po e procedon në Kuvend një projektligj që ka të bëjë me ekspertët ligjor. Është miratuar edhe projektligji për mbrojtjen e konsumatorit, e për të cilin zv/ministri i Industrisë, Mentor Arifaj ka theksuar se një ligj i tillë do t’i eliminojë mangësitë ligjore. “Nëpërmjet këtij ligji do të mundësohet mbrojtja e konsumatorit, do të adresohen praktikat e padrejta tregtare, kushtet e padrejta në kontratë, masat mbrojtëse për konsumatorin, pushimët afatgjata etj”, ka thënë Arifaj.

Kurti vlerëson sukseset e sportistëve dhe artistëve, premton përkrahje

Donika Sherifi/RTK
(E plotësuar) Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për sukseset e sportistëve dhe artistëve tanë gjatë muajit tetor, teksa ka thënë se preokupimet mbi zhvillimet politike në vend kanë bërë që të duket sikur kjo pjesë e shoqërisë nuk e ka vëmendjen e duhur.

I pari i ekzekutivit ka përmendur medaljen e bronztë të fituar nga Donjeta Sadiku në Kampionatin evropian në boks, pastaj suksesin e xhudistëve, fitoren e Ballkanit në UEFA Conference League dhe sukseset e të rinjve tanë në lojërat elektronike.

“Duket se nganjëherë preokupimi me zhvillimet politike në vend na bën që të humbet vëmendja nga rezultatet e të rinjve tanë, por Qeveria jonë i mbanë gjithmonë ata në mendje, derisa në politikbërje në qendër. Jemi përgjegjës dhe të përgjegjshëm, prandaj interesi ynë i lartë shtetëror është që të jemi krahë tyre drejt realizimit të potencialit të tyre”, ka theksuar Kurti.

Ai i ka falënderuar të gjithë artistët, sportistët dhe njerëzit e kulturës, të cilët po kontribuojnë  brenda dhe jashtë vendit për Kosovën, teksa u shpreh krenar që në fund të muajit të kaluar është miratuar programi ‘Kosova shtet i xhudos’.

Kurti ka folur edhe për Manifestën, të cilën e ka vlerësuar si një event mjaft të suksesshëm dhe që na ndikuar edhe në imazhin e vendit tonë.

“Me Manifestën dëshmuam potencialin që e ka vendi ynë. Qytetarët shijuan art të pastër dhe ajo pati ndikim edhe në imazhin e Kosovës në botë. Manifesta solli vizitorë të shumtë dhe pati ndikim edhe në ekonominë e vendit”, ka theksuar Kurti.

Ai ftoj të gjithë që deri të hënën kur mbyllet Manifesta, të vizitojnë lokacionet e ndryshme të bienales.

Qeveria shqyrton disa projektligje dhe kërkesa

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, në të cilën në rend dite janë 19 pika.

Gjatë këtij takimi ekzekutivi do të shqyrtojë ndër të tjera propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022, projektligjin për Ekspertët Gjyqësor, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, projektligjin për Zhvillim Rajonal të Balancuar, propozim-vendimin për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e Njëqindedhjetë Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe propozim-vendimin për vazhdimin e mandatit të Hetuesit të Aksidenteve Hekurudhore në kuadër Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe kërkesa e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për ndarjen e mjeteve buxhetore me qëllim të blerjes së barnave nga lista esenciale, si dhe për ndarjen e mjeteve buxhetore për subvencionimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist”.

Ndër pikat që do të shqyrtohen nga Qeveria janë edhe drafti i Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa pronar, si dhe draftit të Planit të Veprimit 2022-2023 për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për parandalimin dhe luftimin ekonomisë Jo-formale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare 2019-2023.


MË SHUME NGA Lajme