Sveçla dhe Rakusan pajtohen për bashkëpunim policor dhe sigurinë në rajon
Fadil Sertolli / RTKlive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka falënderuar Çekinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, sidomos për mbështetjen konkrete të presidencës çeke, për të shtyrë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.
Këtë falënderim, ministri Sveçla e ka bërë gjatë qëndrimit të tij në Republikën e Çekisë, ku ka takuar Zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës Çeke, Vit Rakusan.
Përmes një komunikate për media, thuhet se ministri Sveçla po ashtu e ka njoftuar homologun e tij me prioritetet dhe rezultatet e arritura në fushën e luftimit të krimit e korrupsionit, migrimit të paligjshëm dhe kontrabandës në përgjithësi, si dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të shtyrë përpara proceset e integrimit evropian.
Në anën tjetër ministri Rakusan thuhet se ie ka përgëzuar institucionet e Kosovës për rezultatet e dukshme të arritura kohën e fundit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe ka konfirmuar përkrahjen e pa rezervë të Qeverisë së Republikës Çeke në proceset integruese, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave.
Ndërkaq sipas njoftimit thuhet se të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që dy vendet kanë potencial shumë të madh për të rritur bashkëpunimin në shumë fusha, me theks tek bashkëpunimi policor, shkëmbimi i informacioneve dhe fushave tjera me interes të përbashkët për të kontribuuar së bashku për sigurinë në rajon dhe më gjerë.























