Targat, ekspertët: Mosshtyrja e afatit mund të tensionojë situatën në veri
Albana Bajrami / Radoi Kosova
Pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se nuk do të ketë shtyrje të afatit për regjistrimin e targave nga qytetarët serbë në veri të Mitrovicës, ekspertët thonë se mund të ketë tensionim të situatës në veri.
Eksperti Drizan Shala, tha për Radio Kosovën se kryeministri duhet të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare për këtë çështje, derisa shpreson që ai të mos japë dorëheqje pas presioneve ndërkombëtare. Ndërkohë, bëhet e ditur se janë regjistruar rreth 19 vetura të qytetarëve serbë.
Drejtuesit e institucioneve përgjegjëse në Kosovë kanë vazhduar të bëjnë thirrje për qytetarët serbë, që t’i ndërrojnë targat e automjeteve nga ato ilegale në targa RKS. Ndërrimi i tyre duhet të bëhet deri më 31 tetor të këtij viti. Ndërsa, edhe përkundër thirrjeve nga bashkësia ndërkombëtare për të shtyrë afatin, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të afatit. Për këtë, ekspertët thonë se mund të ketë tensione në veri të vendit. Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, tha për Radio Kosovën, se në aspektin legjislativ, kryeministri ka të drejtë të zbatojë një vendim të tillë, por sipas tij, në aspektin e sigurisë mund të ketë tensionim të situatës.
“Bashkësia ndërkombëtare është e interesuar që marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë brenda këtij afati që ka mbetur deri në fund të këtij viti, pra një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Një veprim i njëanshëm i kryeministrit të Kosovës nga sugjerimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe të dërguarit Eskobar, mund të vijë situata deri te tensionimi”, ka thënë Shala.
Shala, theksoi se kryeministri pas presioneve ndërkombëtare për këtë çështje mund të marrë ndonjë vendim për dorëheqjen e tij.
“Mendoj që kryeministri, në rast se mund të ketë presione, që për ne opinionin publik nuk janë të ditura, mund të marrë një veprim të tillë siç pat marrë edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Një veprim të tillë nuk është larg mendsh që ta marrë edhe kryeministri Albin Kurti, nga presioni që mund t’i vijë nga bashkësia ndërkombëtare, që të marrë ndonjë veprim për dorëheqje dhe kështu qeveria të shkojë në shtëpi e të kemi zgjedhje në afatin prej 45 ditësh”, ka shtuar Shala.
Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi, përmes një përgjigjeje elektronike për Radio Kosovën bëri të ditur se ditëve të fundit është rritur interesimi i qytetarëve për regjistrim të veturave dhe kthimit të targave në RKS. Ajo tha se deri tani numri i regjistrimeve të mjeteve motorike ka arritur në 19.
“Ministria e Punëve të Brendshme në kuadër të fushatës informuese mbi procesin e regjistrimit të mjeteve motorike me tabela legale RKS dhe largimit të tabelave ilegale, dje ka nisur fushatën e komunikimit elektronik, duke i nisur secilit abonent nga një SMS dhe ka vazhduar me shpërndarjen e fletushkave. Përmes kësaj, ne po vazhdojmë fushatën tonë me qëllim të informimit të secilit qytetar për procedurat dhe lehtësimet të cilat dalin nga ky proces duke lehtësuar kështu qasjen e tyre në informacion përmes komunikimit me SMS në gjuhën serbe. Gjithashtu, për të gjithë të interesuarit ne kemi ofruar edhe numrin telefonik pa pagesë 0800 GO-RKS (0800 46 757)”, ka thënë Fetoshi.
Në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, qarkullojnë rreth 10 mijë automjete me targa ilegale serbe.
Ditë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar institucioneve të vendit, që ta shtyjnë afatin e konvertimit të targave edhe për 10 muaj, me qëllim të shmangies së tensionimit të situatës në veri.























