Shfaqja “Top Girls” jepet sot në kuadër të “Kosovo Theatre Showcase 2022”
Sh. Gashi/RTKlive
Shfaqja “Top Girls” nga Teatri Dodona, në bashkëpunim me Artpolis – Art and Community, dramë e Caryl Churchill, do të shfaqet sonte në kuadër të “Kosovo Theatre Showcase 2022”, organizuar nga Qendra Multimedia.
Kjo është repriza e parë e shfaqjes “Top Girls” që do të jepet në teatrin “Dodona”, duke filluar nga ora 16:15.
Kjo është hera e parë që ky tekst ka ardhur në gjuhën shqipe, me ç’rast shfaqja ka shpalosur një hulumtim të thellë të ndjenjës së të qenit përbrenda një shoqërie patriarkale.
Të gjitha personazhet në këtë shfaqje janë gra imagjinare që janë përballur në një mënyrë apo tjetër, me fatkeqësi të rënda. Disa nga to janë: përdhunimi, ndalimi i gruas në bibliotekë, presioni për të lindur djem, ndalimi i martesës me dikë nga fshati, largimi nga skllavëria e haremit, dëshmia e besnikërisë ndaj burrit, mangësitë e të drejtave të gruas mbi fëmijën, ekzistenca e festës së ‘hënës së plotë’, e shumë të tjera që, në një mënyrë apo tjetër, ende janë ekzistenciale përbrenda shoqërisë, ndonëse jo aq të hasura si dikur.
Pjesë e kësaj shfaqjeje janë aktoret nga Kosova si: Donikë Ahmeti, Vjosë Tasholli, Molikë Maxhuni, Zhaneta Xhemajli, Zana Berisha dhe Blerta Gubetini, të cilat kanë ndërtuar rrolet e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Shfaqja vjen në regji të Shkurtë Aliut, shqipërimi nga Arturo Lena, skenografia nga Bekim Korça, kostumet nga Arbnor Brahimi, muzika nga Trimor Dhomi, koreografia nga Robert Nuha dhe dizajni i dritave nga Skender Latifi.























