Lista Serbe nesër te Vuçiqi, shkak afati i targave
B. Halimi / RTKlive
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar për të enjten takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por paraprakisht në Beograd do ta zhvillojë një takim me përfaqësuesit e Listës Serbe.
Sipas televizionit publik të Serbisë, takimi me përfaqësuesit serbë të Kosovës do të mbahet në orën 09:00. Kërkesa për takim erdhi nga Lista Serbe, pasi sipas tyre kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se ‘më 1 nëntor do të fillojë konfiskimin e pronave të qytetarëve dhe makinave me targat serbe’.
Afati i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave të qytetarëve serbë nga ato ilegale në “RKS” do të skadojë më 31 tetor. SHBA dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë kërkesë Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë afatin për konvertimin e targave me akronime serbe të qyteteve të Kosovës edhe për 10 muaj, por kryeministri Kurti në një prononcim për media ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të këtij afati.
Në anën tjetër, Lista Serbe nëpërmjet një deklarate ka thënë se pohimet e fundit të kryeministrit Kurti janë ‘tregues se nuk ka vullnet për të gjetur zgidhje dhe kompromis, por vetëm dëshirë për të shkaktuar krizë dhe tensione’.
Ndërkohë, deri më tash si pasojë e presioneve të grupeve kriminale në veri dhe të mbështetura nga autoritetet në Beograd, vetëm 18 qytetarë serbë iu kanë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të automjeteve në “RKS”.























