Osmani: Kërkesa për shtyrje të afatit për targa s`është presion
Jeton Musliu/RTKlive
Nuk e cilëson presion, por sugjerim me qëllim të mirë. Kështu deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kur foli sot për çështjen e targave të serbëve në veri të vendit, të cilët kanë afat deri me 1 nëntor që t’i konvertojnë ato nga KM në RKS.
Deklarimi i saj pason disa takime që ajo pati ditëve të fundit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, të cilët raportohet t’i kenë kërkuar zgjatje të këtij afati.
“Në radhë të parë unë nuk do ta quaja presion, gjithçka çka vjen nga miqtë tanë është sugjerim me qëllimin më të mirë”, tha Osmani kur u pyet sot nga mediet në lidhje me këtë çështje.
“Sikurse ne si liderë institucionalë ashtu edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, qëllimin e kemi që të ruhet paqja dhe stabiliteti në Kosovë e përtej saj”.
“Sa i përket qëndrimit tim rreth targave e kam dhënë para disa ditësh, pra kjo është çështje e sundimit të ligjit dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë, do ta gjejmë një zgjidhje ku qytetarët serbë nuk do të ndihen të kërcënuar e as të frikësuar”, tha presidentja Osmani.
Kërkesa për shtyrje të afatit, së paku edhe për 10 muaj, për konvertim të targave, është përmendur nga diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshirë edhe ambasadorin amerikan në Kosovë.
Por presidentja tha se do të gjendet zgjidhje. “Pra ne duhet të ulemi dhe ta gjejmë një zgjidhje të përbashkët ku edhe respektohen obligimet ligjore e kushtetuese që i kemi ne", tha ajo.
"E në anën tjetër të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë ndihen të mbrojtur e mbi të gjitha i mbrojmë mbi kërcënimet e vazhdueshme që po ua bëjnë bandat kriminale serbe dhe besoj se do të gjendet një zgjidhje përpara që edhe do t’i mbrojë serbet por edhe do të respektohet afati”.























