Ursula von der Leyen nesër në Kosovë, takohet me krerët shtetit
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
(E plotësuar) Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nesër do të vizitojë Kosovën në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.
Me rastin e vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kosovë, Policia ka njoftuar se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të presidentes së KE-së, bashkë me delegacionin përcjellës në Kosovë.
Prandaj për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në intervale të shkurta kohore, të disa segmenteve rrugore drejt kryeqytetit, ku pritet të kalojë eskorta, për çka kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët.
Ursula von der Leyen nesër në Kosovë, takohet me krerët shtetit
Gjatë qëndrimit në Kosovë, presidentja Von der Leyen do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në Presidencë, Von der Leyen pritet të jetë në orën 09:00 të paradites derisa bashkë në orën 10:05 pritet t’u adresohen mediave.
Ndërkohë nga ora 10 e 30 presidentja e KE-së do të jetë në zyrën kryeministrore për takim me shefin qeveritar, Albin Kurti.
Pas takimit, bashkë me kryeministrin Albin Kurti e dy ministret Artane Rizvanolli të Ekonomisë e Arbërie Nagavci të Arsimit do të vizitojë projektin e financuar nga BE-ja për efiçiencën e energjisë.























