20 vetura i kanë konvertuar targat ilegale në ato RKS
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

20 vetura i kanë konvertuar targat ilegale në ato RKS

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Edhe këtë të mërkurë ka vazhduar regjistrimi i veturave derisa në 20 ka arritur numri i atyre që kanë konvertuar targat ilegale në ato shtetërore RKS.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi.

“Regjistrimi i veturave ka vazhduar edhe sot. Gjithsej 20 vetura i kanë konvertuar targat ilegale në targa RKS, prej të cilave 5 vetëm në 3 ditët e fundit”, ka shkruar ajo. 

Sipas saj, interesimi i qytetarëve asnjëherë nuk ka munguar, që nga dita e parë.

“Së fundmi, edhe një tjetër qytetar, banor i komunave në veri, ka bërë regjistrimin e veturës së tij”, ka njoftuar zëdhënësja e MPB-së.

Ka thënë se të gjitha Qendrat e Regjistrimit Civil janë në dispozicion. “Andaj ftojmë qytetarët që të vazhdojnë t'i përgjigjen thirrjes për të regjistruar veturat e tyre, pa marrë parasysh vendbanimin duke përfituar kështu nga lirimet tatimore e doganore të cilat arrijnë vlerën deri në 5 mijë euro”, ka shkruar ajo.

I njëjti njoftim është shpërndarë edhe nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Afati i fundit për konvertimin e targave ilegale në ato RKS është 31 tetori.

Pala ndërkombëtare i ka bërë thirrje drejtuesve institucional që ky afat të shtyhet për 10 muaj, por kryeministri ka deklaruar se ky afat nuk do të shtyhet dhe këto masa sipas tij nuk janë as hakmarrje dhe as urrejtje, por zbatim i ligjit.

 


MË SHUME NGA Lajme