Kosova e para në Ballkan për sundim të ligjit
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Kosova është renditur e para në Ballkanin Perëndimor në indeksin vjetor për Sundim të Ligjit "World Justice Project", ndërsa e dyta në botë për përmirësim të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar .
Kjo është konfirmuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti e ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Kreu qeveritar ka shkruar se "World Justice Project" e ka renditur sërish Republikën e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit e në vendin e dytë në mbarë botën për përmirësim të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar.
“Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë dhe po funksionojnë me shpejtësi”, ka shkruar shefi qeveritar.

Haxhiu: Reforma në drejtësi, po njihet botërisht
Ndërkohë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu këtë e ka quajtur hap të jashtëzakonshëm.
“Ky është një hap i jashtëzakonshëm që i njeh përpjekjet tona për realizimin e reformës në drejtësi. Natyrisht që njoftime të tilla na konfirmojnë se synimi është i drejtë dhe jemi në rrugën e duhur në këtë drejtim”, ka shkruar ministrja Haxhiu.
Sipas saj këto sinjale që po e njohin progresin e shtetit në fushën e drejtësisë janë edhe thirrje për vetë bartësit e sistemit, që sa më parë dhe pa asnjë kusht të bashkëngjiten në këtë proces. Kështu sipas saj do të bëheshin shembull për qytetarët e spektrin ndërkombëtar për ligjshmëri, transparencë, efikasitet dhe kredibilitet.
























