Shala për kryeprokurorin: Presidentja të mos presë vendimet gjyqësore
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Shala për kryeprokurorin: Presidentja të mos presë vendimet gjyqësore

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Absurde e konsideron presidentja e shtetit, Vjosa Osmani dekretimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror të shtetit derisa procesi zgjedhjes së tij po kalon në gjykatë, gjashtë muaj pasi institucioni ka mbetur me ushtrues detyre.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizatë që bashkë me të tjera kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri, tha se i njëjti nuk i plotëson standardet për t'u konsideruar me integritet përmes të cilit mund të dalë emri i kryeprokurorit të ri të shtetit.

“Ka qenë një proces me integritet të kontestuar e organizatat e Shoqërisë Civile i kanë kërkuar vetë KPK-së që të reflektojë dhe që të përsërisë konkursin në mënyrë që procesi të mos jetë me integritet të kontestuar. Ka qenë pikërisht ky mos reflektim nga ana e KPK-së arsye pse kemi thënë e topi kalon te presidentja për t’u kujdesur që nga një proces i tillë të mos dalë emri për kryeprokuror”, ka thënë Shala për emisionin “Lajmet e fundit” në RTK.

Por, sipas tij vendimi i presidentes për mos dekretim nuk është i ndërlidhur me vendime të tjera të procedurës gjyqësore.

“Ajo se çfarë duhet të përcaktojë dhe vlerësojë presidentja nuk është e  ndërlidhur me këto vendime. Presidentja ka kompetencat e obligimet e veta kushtetuese dhe për këtë arsye ajo nuk është e detyruar t’i pres ato vendime”, tha tutje Shala.

Si organizatë që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri, Shala ka përmendur, një për një, gjetjet e tyre gjatë këtij procesi, derisa ka thënë se ka pasur trajtim preferencial nga ana e KPK-së në raport me kandidatin, që është rekomanduar te presidentja për t'u përzgjedhur në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

I pyetur nëse mungesa e një kryeprokurori fuqiplotë prej 6 muajsh dëmton institucionin, ai tha se dëm i konsiderueshëm do t'i shkaktohej sistemit prokurorial nëse emri i kryeprokurorit del nga një proces me integritet të kontestuar, sepse kështu sipas tij, do të humbte besimi i qytetarëve karshi këtij institucioni në luftë kundër krimit e korrupsionit të nivelit të lartë.


MË SHUME NGA Lajme