Kuvendi kalon Raportin Financiar të auditorit për buxhetin 2021
BKT
RTKlive
Lajme

Kuvendi kalon Raportin Financiar të auditorit për buxhetin 2021

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

(E plotësuar) Ka përfunduar seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës. 66 deputet i kanë dhënë votë për rekomandimeve të Komisionit për Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Financiar të Buxhetit të Republikës për vitin 2021.

Ky raport është prezantuar nga auditorja përgjithshme, Vlora Spanca.

Sipas saj fokusi kryesor i auditimit ka qenë të vlerësohet cilësia e raportimit financiar, pajtueshmëria e  transaksioneve financiare, efektiviteti i sistemit të kontrolli të brendshëm si dhe zbatimi i rekomandimeve të auditimit.

“Ky raport është rezultat i auditimit të raportit vjetor financiar të qeverisë për buxhetin për vitin 2021 dhe 132 raporteve individuale të organizatave buxhetore të, ndërmarrjeve publike, projekteve dhe atyre të performancës”, tha para deputetëve ajo.

Spanca tha se konkluzioni i përgjithshëm është se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara në prezantimin e informatave financiare dhe shpalosjes së tyre.

“Po ashtu edhe gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse të cilat kërkojnë masa më rigoroze për përmirësim”, shtoi ajo.

Kur foli për raportin financiar të qeverisë për buxhetin e Republikës që ka opinion të modifikuar përkatësisht të kualifikuar tha se arsye e modifikimit të opinionit ka qenë se vlera e gabimeve të identifikuara në pasqyrat financiare ka qenë materiale.

“Shpenzimet ne vlerë prej 13 milionë euro janë klasifikuar në kategori joadekuate, prej tyre si rezultat i buxhetimit jo adekuat janë keqklasifikuar 9 milion e 300 mijë euro, e pastaj për shkak të vendimeve gjyqësore afër 2 milion euro, ndërsa si të ndikuara nga vetë organizatat buxhetore, vlera e keqklasifikimeve ishte afër 2 milionë euro”.

Spanca tutje ka treguar se krahasuar me vitin paraprak keqklasifikimi i shpenzimeve që lidhet me vendime gjyqësore është zvogëluar për 4 milionë e 800 mijë euro për shkak të masave në buxhetimin adekuat të fondeve.

“Mbivlerësim i pasurisë është evidentuar në vlerë prej 84 milionë e 600 mijë euro, nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme afër 4 milionë e 500 mijë euro si dhe mbivlerësim i detyrimeve kontigjente për 12 milionë e 600 mijë euro. Ky është rezultat i mosprezantimit të saktë të informatave financiare nga vetë organizatat buxhetore dhe që rrjedhimisht konsolidohen në pasqyrat financiare të buxhetit të Kosovës. Kryerja e pagesave në vlerë prej mbi  900 mijë euro për 199 punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të marrëveshjes së Brukselit pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë”, theksoi auditorja përgjithshme, Vlora Spanca.

Tutje, sipas saj fakti që për 55 organizata buxhetore është dhënë konkluzion i modifikuar për pajtueshmërinë, 49 të kualifikuar dhe 6 të kundërt tregon se jo të gjitha shpenzimet dhe të hyrat që ishin pjesë e këtyre pasqyrave janë menaxhuar në pajtim me kornizën ligjore ne fuqi.

Ndërkohë votë mori edhe Raporti Vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2021.

Grupet Parlamentare kanë votuar emrat për anëtarë të Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.

Emrat u propozuan nga secila parti, por kur radha i erdhi Listës Serbe, ata nuk ishin aty.

“Lista Serbe është në Beograd”, ka thënë Konjufca.

Ndërkohë shqyrtimi i  Propozim-rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual të iniciuar nga LDK-ja ka mbetur të diskutohet në seancën e radhës.

Miratohet Raporti i Auditimit për RTK-në

(E plotësuar) Me 63 vota për janë votuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”.

Miratohet projektligji për çmimet tavan në produktet bazë

(E plotësuar) Ka kaluar me 63 vota të deputetëve Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Por, votimi i tij u bë vetëm në tentimin e dytë meqë herën e parë pavarësisht numrit të mjaftueshëm të deputetëve në sallë plenare, votë pati vetëm nga 58 deputetë.

Por, kur në sallë u kthyen deputetët e shumicës parlamentare projektligji në parim u miratua, derisa aty nuk kishte thuajse fare deputetë të LDK së e AAK-së, teksa pak kishin mbetur në sallë edhe nga radhët e PDK-së.

Ndërkohë, është miratuar mocioni procedural i LVV-së për shmangie nga afatet e përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e projektligjit. Shqyrtimi i dytë i këtij projektligji të bëhet në seancë më 8 nëntor deri në ora 11:00.

PDK-ja, si parti në opozitë, e ka lënë të hapur mundësinë që i njëjti të ankimohet në procese gjyqësore meqë sipas deputetëve të këtij subjekti ka shkelje të kushtetutës dhe parimeve kushtetuese.

Kundër është paraqitur edhe LDK-ja. Arben Gashi tha se nuk marrin pjesë në këtë proces, meqë konsiderojnë se ka përmbajtje të theksuar antikushtetuese.

Po ashtu u miratua me shumicë votash Projektligji për mbështetjen e punëve publike, ai për qeverinë e Republikës së Kosovës si dhe për Noterinë.

Me 63 vota janë miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”.

Replika mes Musliut e Muratit për policat e sigurimeve

Replika ka pasur edhe mes deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu me ministrin e Financave, Hekuran Murati të cilin ajo e quajti mashtrues.

Sipas saj, qeveria i ka mashtruar mërgimtarët për policat e sigurimit, por këto deklarime të Musliut ministri i ka quajtur dezinformata.

“Unë iu përgjigja pyetjes që patët e nuk po shoh cili është mashtrimi. Fjalori i tillë e akuzat nuk përkojnë me vendin ku jemi, Kuvendin e Republikës dhe janë të pabaza. Këto janë dezinformata”, tha Murati.

Haxhiu: Nuk do të ndalemi derisa Kosova të bëhet shtet i së drejtës

(E plotësuar) Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka replikuar me deputetët e PDK-së ne Kuvendin e Kosovës të cilët thanë se qeveria nuk po e flet të vërtetën për indeksin e “World Justice Project”.

Blerta Deliu Kodra, tha se në vitin 2020 Kosova ishte në vendin e 54-t, në vitin 2021 në të 60-in, ndërsa këtë vit në të 57-in, prandaj sipas saj nuk mund t’i thuhet progres

Por, Haxhiu tha se tash është shtuar numri i vendeve nga 128 sa kanë qenë në 2020 në 140 këtë vit, dhe natyrisht, sipas saj dallon rankimi.

Prandaj ajo ka ftuar edhe opozitën edhe shoqërinë civile që të mirëpresin këtë rankim sepse sipas saj nuk po bëhet për një qeveri, por për Kosovën.

Më të ashpra ishin replikat me deputetin Hisen Berisha që hodhi akuza karshi ministres se po tenton kapjen e drejtësisë e luftimin e gjyqtarëve e prokurorëve.

Ajo tha se duhet të pranohet se për herë të parë në raportin për vendin të Komisionit Evropian nuk përmenden ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë.

“Gjejeni vetëm një vend që flet për ndërhyrje e unë jam e gatshme të jap dorëheqje”, ka thënë Haxhiu.

Ajo tha se nuk ka më kryeministër, as ministra e deputet që thërrasin gjyqtarin e prokurorin qysh të zgjidhet një lëndë ose qysh të mbyllet një lëndë.

 “Ne jemi shembulli më i mirë si një qeveri që për më shumë se një vjet e gjysmë është në mandat dhe nuk ka asnjë skandal korruptiv dhe shkeljet që kemi gjetur nëpër institucione publike i kemi dërguar në polici e prokurori. Jemi shembulli më i mirë që zyrtarët e korruptuar që i kemi pasur në institucione i kemi shkarkuar”, tha ajo.

Deputetët u bëjnë thirrje shqiptarëve të Luginës për t’u regjistruar

Deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu Hyseni ka folur për rankimin e fundit të Kosovës sipas indeksit vjetor për sundimin e ligjit si e dyta në botë dhe e para në rajon. Sipas saj ky është konfirmim se rruga për reformim është e drejtë.

Tutje ajo ka folur edhe për procesin e regjistrimit të popullsisë në Serbi, derisa katër ditë para se të përmbyllet afati për regjistrim ka thënë se shqiptarët duhet të shfrytëzojnë të drejtën e masivisht të regjistrohen dhe pas dy dekadash të dihet numri i saktë i shqiptarëve në Luginë.

“Kanë mbetur edhe katër ditë që pasivizimit të adresave t’i përgjigjeni me regjistrim”, ka thënë ajo.

Për këtë çështje ka folur edhe shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri i cili tha se kjo e drejtë duhet shfrytëzohet nga shqiptarët e Luginës për t’u identifikuar si shtetas e për t’u regjistruar si identitet kombëtar shqiptar.

Ai tha se të gjitha komunitetet në Kosovë e veçmas ai serb janë pjesë  pandashme e shoqërisë dhe natyrisht, tha ai, do të donim që një trajtim të tillë ta kishin edhe shqiptarët e Luginës që jetojnë në Serbi.

“Serbia i ka diskriminuar në baza etnike edhe pse jetojnë në themelet e trojeve të veta shumë para se të hidheshin aty themelet e Serbisë”, tha Tahiri.

“I bëj thirrje shqiptarëve të Luginës që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u regjistruar e për të marr pronësi mbi identitetin e tyre etnik e qytetar. Kanë mbetur edhe katër ditë, prandaj u bëjmë thirrje bashkëkombësve tanë sepse ky është moment historik për t’i rezistuar përndjekjes, për ta frenuar asimilimin e vendbanimeve historike shqiptare. Është moment kyç për të marr në dorë të drejtën për të jetuar e ekzistuar si komunitet në këtë shtet”, tha ai.

Ndërkohë shefi i Deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri e ka quajtur qeverinë e drejtuar nga Kurti si qeverinë më të dobët që Kosova e ka pasur ndonjëherë.

Ai në Kuvendin e Kosovës tha se legjislativi është në muajin e tretë të rikthimit e agjenda legjislative si dhe veprimet e qeverisë kanë lëvizur nga platforma e parë politike kur sipas tij dialogu ishte pika e shtatë në pikën e parë.

“E dini që kanë kaluar një muaj që qeveria e ka përfunduar konsultimin publik për Ligjin e Pagave. Qe një muaj nuk janë në gjendje të sjellin një ligj jetik që i prek 80 mijë qytetar”, tha ai.

Tutje shefi i deputetëve të AAK-së ka folur edhe për Trustin tërheqjen e të cilave mjete e kanë kërkuar edhe qytetarët përmes nënshkrimeve.

“Kërkesa është legjitime nuk ka asnjë trajtim është injorimi temave që i japin kuptim jetës. Qeveria thotë kemi rritje 10.5 për qind e Banka Botërore rritje 3 për qind, dikush nuk po e thotë të vërtetën këtu e kjo duhet të dalë në pah”, ka thënë Tahiri  i AAK-së.

Deputeti ukrainas: Do të punoj për njohjen e Kosovës nga Ukraina

(E plotësuar) Një mysafir special pati këtë të enjte Kuvendi i Kosovës. Bashkë me ligjvënësit e Republikës së Kosovës, si mysafir nderi aty ishte deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko.

Nga foltorja e Kuvendit deputeti ukrainas, shtetit që ka hyrë në muajin e 9-të të luftës me Rusinë ka thënë se Ukraina duhet ta njohë Kosovën dhe ka premtuar se do të punojë shumë për të ndodhur kjo.

Ai e ka krahasuar luftën e Kosovës për pavarësi me atë çfarë po ndodhë tash në Ukrainë.

Goncharenko tha se ka pasur ushtarë të vendit të tij që kanë vdekur në Kosovë si pjesëtarë të KFOR-it teksa luftonin për sigurinë e shtetit të Kosovës.

Ai tha se ka ngjashmëri mes Kosovës e Ukrainës sepse në të dyja vendet pati gjenocid.

“Ne ndihemi të ngjashëm sepse kemi qenë pjesë e gjenocidit mbi ne. Njerëzit e Kosovës luftuan për pavarësinë dhe ne po luftojmë për pavarësi. Ukraina duhet ta njohë Kosovën si shtet i pavarur sepse ju luftuat për këtë gjë. Do të bëj çfarëdo që mundem t'iu ndihmoj në këtë”, ka thënë para deputetëve ai.

Para se të merrte fjalën deputeti ukrainas aty u mbajt një minutë heshtje, derisa kreu i Kuvendit Glauk Konjufca tha se masakrat që po i bënë Rusia në Ukrainë janë akte të gjenocidit të këtij regjimi gjakatar mbi një popull të Evropës dhe mbi një shtet sovran.

Ai tha se të gjithë bashkë do të punojnë që kriminelët ta gjejnë dënimin e merituar për një botë më të sigurt në të ardhmen.

Live| Deputetët mbajnë një minutë heshtje për të vrarët në Ukrainë

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

(E plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar mbledhjen me mbajtjen e një minutë heshtje, në nderim të të vrarëve ukrainas, nga lufta e agresorit rus në Ukrainë.

Në seancën e sotme, Oleksiy Goncharenko është mysafir dhe deputeti i ukrainas.

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe se do të punojë për njohjen nga Ukraina.

Goncharenko javë më parë kishte dorëzuar në Kuvendin e Ukrainës një rezolutë përmes së cilës kërkonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Mblidhet Kuvendi, një nga pikat - caktimi i çmimit tavan për disa produkte

Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës, në rend të ditës është edhe Projektligji për caktimin e çmimit tavan për produktet esenciale, si dhe shqyrtimi i Projektligjit për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19.

Kuvendi sot do të mbajë seancë plenare, në rend të ditës ka 15 pika, përfshirë edhe projektligjin për caktimin e çmimeve tavan për produktet esenciale, si edhe shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të Përgjithshëm për Raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Një pikë tjetër, e seancës së sotme që fillon në ora 10:00, gjithashtu është edhe Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-179  për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg,

4. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-183 për mbështetjen e punëve publike,

5. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës,

6. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-149 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-010 për noterinë,

7. Votimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”,

8. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual,

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-062 për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19,

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-181 për vlerësimin e ndikimit në mjedis,

11. Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021,

12. Shqyrtimi i  Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të Përgjithshëm për Raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021,

13. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2021,

14. Propozimi i GP “Multietnik” dhe i GP-LVV-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare,

15. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.            


MË SHUME NGA Lajme