Kurti: Strategjia e Arsimit, dokumenti kryesor për zhvillimin e arsimit
E.Hoti/RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se arsimi është prioritet i Qeverisë, teksa Strategjinë e Arsimit 2022-2026 e ka vlerësuar si dokumentin kryesor për zhvillimin e arsimit në vend.
“Jemi bashkë në angazhim e bashkëpunim, për jetësimin e objektivave të kësaj strategjie, me përgjegjësinë më të lartë ndaj atdheut, ndaj fëmijëve dhe të rinjve tanë, që t’u mundësojmë atyre arsimim e zhvillim cilësor”, u shpreh Kurti, në lansimin e kësaj strategjie, që u lansua sot me një ceremoni të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Kjo strategji është dokumenti kryesor për zhvillimin e sektorit të arsimit në vendin tonë, në pesë objektiva strategjike, për periudhën e ardhshme pesëvjeçare, shtoi kryeministri.
Edukimi në fëmijërinë e hershme; ngritja e cilësisë së arsimit parauniversitar; harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet e teknologjisë dhe tregut të punës; cilësia, integriteti dhe konkurrueshmëria e arsimit të lartë; si dhe përdorimi i teknologjisë digjitale për përmirësimin e shërbimeve dhe të cilësisë në arsim, në përputhje me trendet e transformimit digjital; janë shtyllat kryesore, për zhvillimin tonë të gjithmbarshëm, është shprehur kryeministri.
Ai theksoi se arsimi cilësor është burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës, andaj Qeveria do të vazhdojë me investimet në këtë fushë.
“Për këtë Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1 mijë kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit”, tha ai.
Sipas kryeministrit digjitalizimi është ndër prioritetet e Qeverisë, në të gjitha fushat, në administratë, në shëndetësi, në industri, por posaçërisht në arsim.
Ai ka bërë të ditur se për vitin akademik 2021/2022 janë ndarë 1365 bursa universitare për studentët në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.
Kryeministri ritheksoi se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të fokusuara e të angazhuara për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të vegjlit e të rinjtë tanë, vajzat e djemtë, për të tashmen, por edhe për të ardhmen e tyre, të shoqërisë e shtetit tonë.























