Kurti: Kosova këtë vit aplikon për anëtarësim në BE
BKT
Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës
Lajme

Kurti: Kosova këtë vit aplikon për anëtarësim në BE

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për herë të dytë në pak më shumë se një vit, ka mirëpritur në Prishtinë, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në komunikatën për media,  bëhet e ditur se në këtë takim, Kurti e njoftoi Von der Leyen për avancimin e vazhdueshëm që Kosova po shënon në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, dhe për punën e qeverisë në reformën në drejtësi, përmbushjen e agjendës evropiane dhe për luftimin e krimi dhe korrupsionit.

Në komunikatë shkruan se Kurti veçoi të gjeturat e raportet ndërkombëtare që dëshmojnë për përparimin gradual por të vazhdueshëm të Republikës së Kosovës në shumë fusha.

“Duke përfshirë këtu Raportin e Vendit për vitin 2022, që ishte ndër më të mirët në rajon, dhe tash së fundmi raportin e Projektit të Drejtësisë Botërore (ËJP) i cili përveçse rendit Kosovën si të parën në rajon për nga sundimi i ligjit, e rendit atë në vendin e dytë në botë si shteti me përmirësimin më të madh në këtë fushë”, shkruan  më tej në këtë komunikatë të lëshuar nga kryeministria.

Më tej sqarohet në Von der Leyen dhe Kurti biseduan edhe sa i përket rrugës së Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Kurti citohet të ketë thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti.

Ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave, Kurti u shpreh se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se liberalizimi tashmë është më se meritor për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“U diskutua edhe për krizën energjetike me të cilën po përballet i gjithë kontinenti evropian”, shkruan në komunikatë.

“Bashkimi Evropian ka qenë partner i vazhdueshëm i shtetit të Kosovës. Në këtë takim të sotëm, u konfirmua ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë euro për Kosovën në ballafaqimin me krizën energjetike”.

 Në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për këtë mbështetje e cila do të ndihmojë drejtpërdrejt në minimizimin e efekteve të krizës energjetike te qytetarët tanë.

Pas takimit, Kurti dhe Von der Leyen vizituan së bashku objektin e Fakultetit të Arkitekturës.

Falë financimit të Bashkimit Evropian, objekti tani ka një sistem të ri të ngrohjes qendrore ndërkaq Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet bashkëpunimit me Bankën Botërore ka investuar në efiçiencën e energjisë së këtij objekti.

Von der Leyen pas takimit me Kurtin: Mbështesim Kosovën

Edhe pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përsëriti mbështetjen ndaj Kosovës të institucionit që drejton.

Siç njoftoi vet Von der Leyen në një postim në llogarinë e saj në twitter, me kryeministrin kosovar kanë biseduar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.

“E di sa e rëndësishme është liberalizimi i vizave për Kosovën”, shkroi Von der Leyen.

“Komisioni Evropian beson që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se tashmë diskutimet kanë rifilluar”.

“Ne do t’iu mbështesim në çfarëdo mënyre që mundemi”, ka shkruar ajo.

Ursula von der Leyen ka nisur një tur vizitash në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nis takimi Kurti-Von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka filluar takimin me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe konferencën e përbashkët për media, presidentja e Komisionit Evropian, u prit në qeverinë e Kosovës nga kreu i ekzekutivit kosovar.

Bazuar në agjendën e parashikuar, pas këtij takimi, nuk do të mbahet  konferencë për medie, ndërsa gazetarët janë lejuar të bëjnë vetëm fotografi dhe disa minuta xhirime.

Pas Kosovës, Ursula von der Leyen  do të vizitojë edhe Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi.


MË SHUME NGA Lajme