Stano: BE po punon në gjetjen e zgjidhjes për targat
Gjeraqina Tuhina/ RTK/ Bruksel
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell si dhe përfaqësuesi i veçantë për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak janë intensivisht të anagazhuar në gjetjen e zgjidhjes në lidhje me tragat serbe në Kosovë, ka konfirmuar zëdhënsi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Ai ka nënvizuar se po punohet në këto pak ditë të mbetura për t’u gjetur zgjidhja dhe në këtë mënyrë të shmanget përshkallëzimi, apo siç u shpreh ai, shpërthimi i situatës.
“Disa herë në të kaluarën kemi thënë se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të parandalohet çfarëdo tensionimi, i cili mund të çojë deri te përshkallëzimi i situatës. Ajo për të cilën më së paku kanë nevojë Serbia e Kosova në këtë moment është të ketë më shumë tensione. Ato kanë nevojë për më shumë progres në mënyrë që ta çojnë dialogun përpara”, ka porositur Peter Stano.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian konfirmoi se vazhdohet me insistimin që autoritetet kosovare të shtyjnë afatin për riregjistrim të automjevete me targa serbe për 10 muaj.
Ndonëse e cilëson legjitim vendimin e Qeverisë së Kosovës, Stano megjithatë nënvizon se shtyerja për 10 muaj do të mundësonte një fushatë informimi më përfshirëse dhe konsultime me qytetarët përkatës. Kjo do t’i mundësonte Kosovës që t’ua lehtësojë serbëve të Kosovës në veri marrjen e kartave të identitetit dhe patentë-shoferëve të Kosovës, theksoi ai.
“Duhet të evitohet çfarëdo përshkallëzimi i tensioneve dhe dhune potenciale. Kjo ka rëndësi të veçantë në kontekstin momental gjeopolitik, në kontekstin e ruajtjes së stabilitetit në rajon”, porositi Peter Stano zëdhënës i Bashkimit Evropian.























